Gjykata e Apelit pezullon ndërtimin e sallës së vallëzimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka 14 ditë kohë për të apeluar vendimin

07/08/2026 17:19

Një gjykatë federale e apelit në Shtetet e Bashkuara urdhëroi të premten administratën e presidentit Donald Trump të ndalojë përkohësisht ndërtimin e një salle vallëzimi me vlerë 400 milionë dollarë në vendin ku më parë ndodhej Krahu Lindor i Shtëpisë së Bardhë.

Me një vendim 2-1, Gjykata e Apelit la në fuqi urdhrin e përkohshëm gjyqësor të siguruar nga Fondi Kombëtar për Ruajtjen e Trashëgimisë Historike. Organizata ngriti padi pasi administrata shembi Krahun Lindor dhe nisi ndërtimin e një salle vallëzimi prej rreth 89 mijë metrash katrorë pa marrë miratimin e Kongresit.

Megjithatë, gjykata vendosi të shtyjë zbatimin e vendimit për 14 ditë, duke i dhënë administratës Trump mundësinë të paraqesë apel në Gjykatën Supreme të SHBA-së.

Më herët, administrata kishte apeluar edhe vendimet e gjyqtarit federal Richard Leon, i cili në dy raste bllokoi ndërtimin e strukturave mbi tokë, ndërsa lejoi vijimin e punimeve nëntokësore.

Leon, i emëruar nga ish-presidenti republikan George W. Bush, argumentoi se asnjë ligj federal nuk i jep presidentit autoritetin për të ndërtuar një objekt të tillë pa miratimin e Kongresit.

Administrata Trump e ka mbrojtur projektin, duke e cilësuar sallën e vallëzimit si një investim të domosdoshëm për organizimin e aktiviteteve të mëdha zyrtare dhe për rritjen e sigurisë në Shtëpinë e Bardhë. Projekti konsiderohet një nga nismat më ambicioze të Trump për të ndryshuar peizazhin arkitektonik të ndërtesave qeveritare dhe monumenteve kombëtare në Uashington.

Presidenti Trump ka mbrojtur gjithashtu koston e projektit, e cila është dyfishuar krahasuar me vlerësimet fillestare. Në një postim në Truth Social muajin e kaluar, ai tha se rritja e kostos lidhet me zgjerimin e projektit dhe përdorimin e materialeve me cilësi më të lartë.

“Salla do të jetë madhështore, e sigurt dhe e mbrojtur”, shkroi Trump.

Top Channel