Gjendet i pajetë një 47-vjeçar në një pallat në Elbasan, policia nis hetimet: Nuk u konstatuan shenja dhune

07/08/2026 09:31

Një 47-vjeçar është gjetur pa shenja jete mëngjesin e së premtes në një pallat në Elbasan.

Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 08:00 është marrë informacion se në sheshpushimin e katit të tetë të një pallati, në lagjen “Syrja Dylgjeri”, është gjetur i pajetë shtetasi Klodian Drobaj, 47 vjeç.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të shkaktuara nga mjete ose sende të tjera.

Nën drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor po vijon hetimet për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës dhe për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij rasti.

Top Channel