Aksion kundër lëndëve narkotike në Pukë, arrestohet një 55-vjeçar, procedohet kryeplaku i fshatit

07/08/2026 13:38
Foto ilustruese

Policia e Pukës ka finalizuar operacionin e koduar “Arsti”, duke goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Arst.

Si rezultat i kontrolleve intensive dhe hetimeve me metoda proaktive, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë kanë zbuluar 130 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të kultivuara në territorin e këtij fshati.

Bimët narkotike u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi S. N., 55 vjeç, banues në fshatin Arst, i dyshuar si autor i kultivimit të bimëve narkotike.

Ndërkohë, policia ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit Arst, M. K., 60 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Njoftimi

Finalizohet operacioni i koduar “Arsti”, si rezultat i kontrolleve intensive për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Arrestohet një 55-vjeçar, i dyshuar për kultivim të bimëve narkotike Cannabis Sativa, në fshatin Arst.

Procedohet penalisht kryeplaku i këtij fshati, për shpërdorim detyre.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, si rezultat i kontrolleve intensive në terren dhe i hetimeve me metoda proaktive, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve, finalizuan operacionin e koduar “Arsti”.

Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Arst, u gjetën të kultivuara 130 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me djegie, përveç një pjese që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua shtetasi S. N., 55 vjeç, banues në fshatin Arst, i dyshuar si autor i kultivimit të këtyre bimëve.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për kryeplakun e fshatit Arst, shtetasin M. K., 60 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel