Situata kritike në Mallakastër/ Zjarri vijon të jetë aktiv, temperaturat dhe era favorizojnë përhapjen e flakëve

06/08/2026 10:26

Për të tretën ditë radhazi, zjarri në Mallakastër vijon të jetë aktiv, por tashmë larg zonave të banuara. Pavarësisht ndërhyrjes nga toka dhe ajri, flakët vijojnë të djegin masivet pyjore, ndërsa gjatë ditës së sotme me intensitet më të ulët.

Situata në zonat e prekura, konkretisht në Panahor, Ngraçan, Riban dhe Ndrenie, paraqitet e ndryshme.

Në pjesën e Panahorit, zjarri vijon me intensitet më të ulët në drejtim të fshatit Panahor dhe Çyçen, ndërsa mbetet edhe tendenca e përhapjes në drejtim të fshatit Çfir.

Zjarri mbi fshatin Ngraçan është nën kontroll, ndërsa në Riban flakët janë izoluar. Me intensitet të ulët vijon zjarri edhe në drejtim të masivit pyjor të Ndrenies dhe Vloshtit, por larg zonave të banuara.

Aktualisht, në terren po vijon operacioni për kontrollin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit, ku janë angazhuar 5 mjete zjarrfikëse, 25 efektivë të MZSH-së, 30 forca bashkiake dhe 50 trupa të Forcave të Armatosura. Në operacion nga ajri janë angazhuar gjithashtu 2 helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes.

Aktualisht, nuk ka zona të banuara në rrezik të drejtpërdrejtë. Megjithatë, rreziku mbetet evident për shkak të temperaturave të larta dhe erës, të cilat favorizojnë përhapjen e flakëve.

Ndërkohë, vijon puna në Ngraçan, kryesisht në perimetrin e jashtëm të zonës së prekur, me qëllim mbajtjen nën kontroll të situatës dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit.

Top Channel