Grabitja e argjendarisë në Paskuqan, 1.5 milionë lekë flori të vjedhura, një nga autorët dyshohet se ishte paraqitur më parë si klient
Tre persona kanë rënë në pranga, pasi dyshohet se shpërndanin doza kokaine dhe kanabisi në zonat turistike të Livadhit, Llamanit dhe ambiente të tjera në qytetin bregdetar.
Operacioni antidrogë i koduar “Area” u finalizua në dy faza nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të masave të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik.
Gjatë fazës së parë të operacionit, “Area 01”, policia arrestoi në flagrancë shtetasit V. K., 17 vjeç, banues në Himarë dhe D. Gj., 40 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrolleve fizike dhe kontrollit në banesën ku 40-vjeçari qëndronte përkohësisht në zonën e Llamanit, u gjetën dhe u sekuestruan sasi të dyshuara kokaine dhe kanabisi, të ndara në 60 doza të gatshme për shitje. Sipas policisë, lëndët narkotike ishin përgatitur për t’u shpërndarë në plazhet e Livadhit dhe Llamanit, si dhe në lokalet e plazhit në këto zona.
Ndërkohë, në fazën e dytë të operacionit, “Area 02”, u arrestua shtetasi R. L., 24 vjeç. Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin ai lëvizte dhe të banesës ku qëndronte përkohësisht në Himarë, policia gjeti sasi kanabisi të ndara në 31 doza, të përgatitura për shitje, si dhe një peshore elektronike.
Në total, gjatë operacionit u sekuestruan 91 doza me lëndë narkotike, një peshore elektronike, një automjet dhe një celular.
Dy prej personave të arrestuar dyshohet se kishin marrë banesa të përkohshme në Himarë me qëllim ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale gjatë sezonit turistik.
Policia bën me dije se kontrollet në zonën bregdetare vijojnë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Top Channel