Humbi jetën në kantierin e ndërtimit në Durrës, 40-vjeçari dyshohet se pësoi atak kardiak pas punës në temperatura të larta

06/08/2026 18:46
Foto ilustruese

Problemet shëndetësore dhe të punuarit në temperaturat e larta të gushtit dyshohet se janë shkaku i vdekjes së 40-vjeçarit Euglent Lamçe.

Siç raporton korrespondentja e Top Channel Vali Qyrfyçi, 40-vjeçari humbi jetën mesditën e sotme gjatë rrugës për në spital, pasi i kishte humbur ndjenjat teksa po punonte në një kantier ndërtimi në Durrës.

Sipas policisë, pasi humbi ndjenjat, ai u dërgua në spital po nuk mundi të mbijetojë. Dyshohet se në kushtet e temperaturave të larta, 40-vjeçari ka pësuar atak kardiak.

Durrës/Informacion paraprak

Rreth orës 15:00, në lagjen nr. 4, shtetasi E. L., rreth 40 vjeç, dyshohet se ka humbur ndjenjat gjatë punës në një kantier ndërtimi.

Ai është transportuar në spital, por, pavarësisht ndihmës mjekësore, ka humbur jetën.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.

Top Channel