FSHF tërheq mbështetjen për Gianni Infantinon, Shqipëria i bashkohet qëndrimeve europiane për qeverisjen e FIFA-s Betejë në Kushtetuese, referendum dhe protesta. Janë tre rrugët e demokratëve për të kundërshtuar ndarjen e vendit në 46 bashki.
Për Top Channel, bashkëkryetari i Reformës Territoriale, Luçiano Boçi, konfirmon se po vlerësohet opsioni i goditjes në gjykatë.
Luçiano Boçi, bashkëkryetar i Reformës Territoriale, shprehet për gazetaren e Top Channel, Elda Menga: “Është bashkë me opsionet e tjera. Normal, me shkeljet kushtetuese që janë bërë, me një ankimim të thjeshtë kushtetues ti e rrëzon reformën, nëse Gjykata Kushtetuese do e vlerësonte. Do të kishte një mbledhje shumë të shpejtë, pasi ka shkelje kushtetuese në vazhdimësi. Ne i referohemi nenit 108, pika 2, i referohemi ligjit të vetëqeverisjes vendore 89/90, ligjit për konsultimet publike. Këta i kanë kapërcyer të gjitha procedurat, po shkelin çdo gjë, vetëm që të realizojnë qëllimin e tyre.”
Me sytë drejt ndërkombëtarëve, si zgjidhje demokratët shohin realizimin e një referendumi, ndonëse kuadri ligjor vështirëson mbajtjen e tij.
“Do të komunikojmë me ndërkombëtarët, do të kërkojmë edhe mbështetjen e tyre për referendum, me gjithë autoritetet, edhe me Kongresin, edhe me BE. Referendumi është i vështirë, pasi është tentuar disa herë, por ligji shqiptar çedon, pasi është bërë për të mos u bërë referendum, dhe në rastin konkret, po të ketë vullnet politik, gjendet zgjidhja. Do t’i drejtohemi KQZ-së që të marrë një vendim në raport me një referendum”, thotë deputeti i PD.
Në analizën që demokratët i kanë bërë hartës së PS-së, konstatojnë kalkulime elektorale për të ndryshuar balancat politike të mazhorancës.
“Po, është hartë politike. Marrim shembullin Pukë dhe Fushë-Arrëz, janë bashki të fituara nga PD dhe sot bashkohen. Me çfarë parimi veproi? Parimi i një bashkie që ka të ardhura më të mëdha? Por kanë të njëjtat. Po kështu dalim te Librazhd-Përrenjas. Këtu PD humbet një territor politik. Vazhdojmë me Selenicën. Selenica ka pasur drejtim të djathtë, ka tendencë të tillë dhe tani e fusin në gropën e madhe të votave të Vlorës. Dhe dalim në Elbasan. Belshi është një bashki që ndahet në vota, 300 plus që lëvizin dhe kanë lëvizur në këtë rend, dhe duke e ndërfutur në Elbasan vetëm për vota politike”, shprehet Boçi.
Përmes një udhëzimi, PD i kërkoi këshilltarëve të djathtë të mbështesin protestat kundër hartës së PS-së, si dhe të bashkëpunojnë me këshilltarët e majtë për ta rrëzuar atë në çdo këshill bashkiak.
Top Channel