Fasulet e Fierit mbeten pa treg, fermerët rrezikojnë falimentimin: Punojmë gjithë vitin dhe në fund nuk nxjerrim dot as shpenzimet

06/08/2026 12:16

Qindra tonë fasule të prodhuara këtë vit rrezikojnë të mbeten pa u shitur në fshatin Ndërmënas të Fierit.

Sezoni i vjeljes ka nisur, por fermerët thonë se mungesa e tregut dhe çmimet e ulëta po i çojnë drejt falimentimit. Disa prej tyre kanë ende edhe sasi të vogla të pashitura nga viti i kaluar, ndërsa prodhimi i ri po mbushe çdo ditë në magazina.

Prodhimi është shumë i mirë, por çmimi prej rreth 80 lekësh për kilogram nuk mbulon as shpenzimet. Kemi punuar gjithë vitin dhe nuk dimë ku ta shesim”, shprehet Kujtim Kule, fermer.

Në këtë zonë, ku burimi kryesor i të ardhurave është bujqësia dhe blegtoria, po përsëritet e njëjta situatë si me drithërat. Fermerët thonë se kostot e larta të plehrave kimike, pesticideve, farërave dhe karburantit kanë rritur ndjeshëm shpenzimet e prodhimit, ndërsa çmimi i shitjes mbetet i pandryshuar. Për pasojë, shumë prej tyre kanë reduktuar ndjeshëm sipërfaqet e mbjella me fasule dhe drithëra.

Plehrat, pesticidet dhe nafta janë bërë shumë të shtrenjta. Punojmë gjithë vitin dhe në fund nuk nxjerrim dot as shpenzimet.”, shton fermeri.

Sipas fermerëve, një tjetër problem mbetet konkurrenca me produktet e importit, të cilat shiten me çmime më të ulëta dhe zënë një pjesë të madhe të tregut vendas. Si rezultat, prodhimi vendas mbetet pa blerës, edhe pse cilësia e tij konsiderohet shumë e lartë.

Fasulja është një kulturë që kërkon shumë punë deri sa të dalë në treg. Ne punojmë mbi 150 hektarë tokë, por ata që e kanë tokën me qira nuk përfitojnë nga skema e naftës dhe detyrohen ta blejnë me çmimin e tregut.”, thotë Kule.

Fermerët kërkojnë rishikimin e skemës së subvencionimit, veçanërisht për naftën bujqësore, duke theksuar se mbështetja duhet t’i shkojë fermerit që punon tokën, pavarësisht nëse ajo është në pronësi apo me qira. Ata kërkojnë gjithashtu uljen e çmimit të plehrave kimike dhe ngritjen e pikave të grumbullimit në zonë, në mënyrë që prodhimi vendas të mos mbetet pa treg.

Top Channel