Dy vatra zjarri vijojnë të mbahen nën monitorim në qarkun e Elbasanit, situata më problematike në Malin e Dardhës, ku zjarri vijon prej tetë ditësh.

Vijon beteja me vatrat e zjarrit në qarkun e Elbasanit, ku strukturat e emergjencës dhe shërbimet zjarrfikëse janë duke punuar prej disa ditësh për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht mbeten në monitorim dy vatra aktive, një në fshatin Shqiponjë të bashkisë Prrenjas dhe tjetra në Malin e Dardhës të bashkisë Librazhd.

Situata më e ndërlikuar paraqitet në masivin pyjor të Malit të Dardhës, në Njësinë Administrative Hotolisht, Bashkia Librazhd, ku vatra e zjarrit është aktive prej tetë ditësh. Sipas informacioneve nga terreni në Malin e Dardhës, zjarri mëngjesin e kësaj të enjteje është izoluar në masën rreth 90%, ndërsa sipërfaqja e përshkuar nga flakët llogaritet të paktën rreth 6 hektarë. Bëhet fjalë për një zjarr sipërfaqësor, ndërsa për ditën e sotme është planifikuar inspektim dhe monitorim i zonës për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm.

Në operacionin e djeshëm për shuarjen e zjarrit në Malin e Dardhës, në një zonë jashtëzakonisht të vështirë, u angazhuan 8 efektivë të shërbimit zjarrfikës, të mbështetur nga 3 punonjës të sektorit pyjor, të cilët punuan për neutralizimin e vatrës së fundit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vatrat e zjarrit në Shqiponjë të Prrenjasit dhe në fshatin Mjekës të Elbasanit dje janë vënë nën kontroll të plotë. Mbrëmë, shërbimi zjarrfikës i Elbasanit bëri me dije se zjarri në Mjekës është shuar plotësisht, ndërsa autoritetet e pushtetit vendor bëjnë me dije se, fatmirësisht, nuk pati rrezik për banesat apo nënstacionin elektrik 400 kV, ndërsa forcat në terren vijojnë monitorimin për të shmangur riaktivizimin e flakëve.

Në shkallë qarku në Elbasan, operacionet për izolimin dhe shuarjen e zjarreve po koordinohen nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me prefekturën, bashkitë dhe Forcat e Armatosura. Në terren janë angazhuar 12 automjete zjarrfikëse dhe dhjetëra punonjës të strukturave të emergjencës.

Top Channel