“Verë dhe Portokalle” në Shijak, qytetarë të shumtë ndoqën nga afër spektaklin e jashtëzakonshëm të humorit

05/08/2026 12:44

Shijaku u kthye mbrëmjen e kaluar në skenën e humorit shqiptar, teksa spektakli  “Verë dhe Portokalle” ndaloi në qytet, duke mbledhur qytetarë të shumtë që ndoqën nga afër aktorët e preferuar dhe humorin e tyre.

Artistët e trupës sollën në skenë personazhet më të dashur të publikut, humor të frymëzuar nga përditshmëria dhe improvizime që u pritën me të qeshura dhe duartrokitje. Ndërveprimi me publikun solli argëtim dhe një atmosferë festive gjatë gjithë mbrëmjes.

Grupmosha të ndryshme nga fëmijë deri të moshuar mbushën sheshin për të ndjekur nga afër shfaqjen dhe shijuar humorin, muzikën dhe energjinë që artistët sollën në skenë. Për të ndjekur spektaklin erdhën në Shijak dhe nga Durrësi.

Para dhe në fund të spektaklit, shumë qytetarë shfrytëzuan rastin për të takuar aktorët, për të bërë fotografi me ta dhe për të ndarë përshtypjet e një mbrëmjeje ndryshe, në kulmin e sezonit veror.

Turneu “Verë dhe Portokalle” vijon ndalesat në qytete të ndryshme të vendit, duke e sjellë humorin shqiptar më pranë publikut dhe duke i kthyer netët e verës në festa argëtimi.

 

Top Channel