Zjarr i madh në Selenicë, flakët përfshijnë pyllin me pisha dhe afrohen pranë varrezës së automjeteve
Avokati Plarent Ndreca ka kundërshtuar Udhëzimin e KLGJ-së dhe Rregulloren e re të Sigurisë së GJKKO-së, duke i kërkuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë të ndërhyjë institucionalisht kundër tyre.
Sipas tij, këto akte sjellin kufizime që prekin profesionin e avokatit, lirinë e medias dhe transparencën e proceseve gjyqësore, raporton gazetarja Anila Hoxha.
Në Memorandumin nr. 2, Ndreca argumenton se, për herë të parë, kufizime që ligjvënësi nuk i ka parashikuar me ligj po krijohen përmes akteve administrative të organeve të qeverisjes së sistemit gjyqësor dhe administratës së gjykatave. Ai i kërkon Dhomës të ndërmarrë veprime konkrete, përfshirë padinë në Gjykatën Administrative për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të këtyre akteve dhe pezullimin e zbatimit të tyre.
Ky reagim i avokatit vjen pas publikimit të rregullores së re të GJKKO-së dhe komentit të zv/kryetarit të Gjykatës së Posaçme, Erion Bani, ditën e fundit të punës së gjykatës, më 31 korrik. Teksa rregullorja e re cenon punën e avokatëve dhe medias, zyrtarisht u njoftua se rregullorja hyn në fuqi më datë 1 shtator.
Deri më tani kanë reaguar dy organizata të medias, Asociacioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, të cilët e kritikuan rregulloren e re.
Ndërkohë, i kontaktuar në telefon nga gazetarja Anila Hoxha, prof. dr. Maksim Haxhia, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, tha se është njohur me rregulloren e re vetëm nga raportimet mediatike të orëve të fundit.
“Na i kanë vendosur në dispozicion zyrtarisht, por nëse kjo rregullore është e tillë, konstatoj se është përgatitur në mungesë të plotë transparence dhe është publikuar gjatë marrjes së pushimeve. Ditën e parë të shtatorit do të thërras strukturat e avokatisë dhe, sapo Dhoma të njihet zyrtarisht me rregulloren, do të vendosim se çfarë veprimesh do të ndërmarrim për një rregullore që cenon punën e avokatëve. Personalisht jam për masën ekstreme, që është bojkoti, por do ta vendosim në shtator”, u shpreh Haxhia.
Top Channel