Kreu i PD reagon për vendimin e Qeverisë për prishjen e kontratës në aeroportin e Vlorës: Kosto 500 milionë euro, e kuptoni që…

05/08/2026 15:12

Paralajmërimi i biznesmenit Behgjet Pacolli se do të çojë në arbitrazh ndërkombëtar çështjen e aeroportit të Vlorës, nëse qeveria shqiptare zgjidh kontratën koncesionare, nxiti reagimin e Sali Berishës.

“Po prishin një kontratë, për të cilën garantoj qytetarët e këtij vendi se do të gjobiten me së paku 500 milionë euro. Po prishin kontratën vetëm e vetëm se e panë që Behgjet Pacolli nuk ka ndërmend t’u njohë atyre aksionet që këta pretendojnë se kompania turke ia ka dorëzuar Behgjet Pacollit për në pronësi të tyre.

E kuptoni? Pra, këtu janë, është një treshe faqezezë Edi Rama, Lubi Balluku, Taulant Balla, të cilët kanë përdorur atë ortakun tjetër të ndërtimit për t’ia marrë Pacollit aksionet. Pacolli aksionet nuk i jep. Është biznesmen me eksperiencë dhe duket se nuk plotëson pazarin e tyre, kërkesat për pazar”, tha Berisha.

Një ditë më parë, dy shtetas nga Maqedonia e Veriut u shpallën non grata nga Ministria e Brendshme, pas dyshimeve se kanë kryer aktivitet të dyshimtë që cenon interesat kombëtare shqiptare, akt të cilin Berisha e dënoi dhe e konsideroi si hakmarrje të Ramës.

Lideri i opozitës iu rikthye denoncimeve për biznesmenin Ermal Beqiri, duke akuzuar Edi Ramën se ka lejuar vijimin e pagesave për kompanitë e tij.

“Së fundmi, Edi Rama urdhëroi edhe ministren e Financave t’i disbursojë 8.5 milionë euro për t’i dëshmuar Ermal Beqirit se nuk ka vepër penale, se nuk ka urdhër arresti, se nuk ka urdhër ekstradimi që mund të pengojë, mund të bllokojë rolin e tij si prestanome, si përfaqësues, si ndërmjetës i Edi Ramës në fushën e tij të suksesit, siç kishte shpallur ai AKSHI-n, kopshtin e tij privat. Dënoj me forcën më të madhe këtë akt, si dhe mosbllokimin e kompanive të tij nga organet e drejtësisë”, tha kreu i PD-së.

Berisha kërkoi që mazhoranca të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Top Channel