‘Çmendet’ moti/ Austria shënon rekord të ri temperaturash, termometri arrin në 41.2°C

05/08/2026 19:03

Austria ka regjistruar temperaturën më të lartë në historinë e saj, me termometrin që arriti në 41.2 gradë Celsius në Bad Deutsch-Altenburg, në lindje të vendit.

Rekordi i ri u konfirmua nga shërbimi meteorologjik GeoSphere Austria.

Temperatura e re tejkalon rekordin e vendosur vetëm një ditë më parë, kur në stacionin Vjenë-Stammersdorf u regjistruan 41°C.

Vendi po përballet me një verë jashtëzakonisht të nxehtë dhe të thatë, ndërsa thatësira dhe mungesa e reshjeve kanë përfshirë pjesën më të madhe të territorit.

Këtë verë, Austria përjetoi gjithashtu valën më të fortë të të nxehtit të regjistruar ndonjëherë për muajin qershor, me temperatura mesatarisht 1.4 gradë Celsius më të larta se rekordet e mëparshme.

Sipas shkencëtarëve, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor dhe emetimet e gazrave serrë po rrisin frekuencën dhe intensitetin e fenomeneve ekstreme të motit në mbarë botën.

Top Channel