Hetimi për shpërdorim detyre në Kosovë kur ishte ministër, merret në pyetje drejtori i Portit të Durrësit, Liburn Aliu Pas vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës për të nisur procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pas mosrespektimit të afateve për përfundimin e punimeve, kompania MABCO e biznesmenit Behgjet Pacolli paralajmëron se do ta ndjekë çështjen në arbitrazh ndërkombëtar.
Në një reagim në rrjetet sociale Pacolli shprehet se deri më tani kompania nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga Ministria e Infrastrukturës për këtë vendim ndërsa akuzon autoritetet shqiptare se po e çojnë vetë çështjen drejt arbitrazhit.
“Për një investim strategjik të kësaj rëndësie, është e papranueshme që investitori të informohet nga mediat dhe jo nga institucionet e shtetit. Nëse ky lajm rezulton i vërtetë, atëherë shteti shqiptar ka vendosur të ndjekë rrugën e arbitrazhit ndërkombëtar.”, shprehet Pacolli.
Sipas Pacollit kompania ka tentuar vazhdimisht të zgjidhë mosmarrëveshjet përmes rrugëve institucionale dhe dialogut.
“MABCO ka bërë çdo përpjekje për ta shmangur këtë skenar, duke kërkuar dialog, zgjidhje institucionale dhe zbatim të ligjit. Fatkeqësisht, këto përpjekje janë penguar nga neglizhenca, papërgjegjshmëria, veprimet e kundërligjshme të disa zyrtarëve.”, shton ai.
Kompania MABCO pretendon se ka investuar mbi 320 milionë euro në projekt dhe se kishte përmbushur pothuajse të gjitha detyrimet kontraktore, duke qenë pranë fazës së certifikimit të aeroportit. Pacolli shton se megjithëse Gjykata e Lartë i riktheu MABCO Construction të drejtën e administrimit të aeroportit, kompania nuk u lejua të hynte në kantier për muaj me radhë, pas konfliktit me punonjësit e ortakut Valon Ademi.
Sipas kontratës, punimet në Aeroportin e Vlorës duhej të përfundonin në shkurt të vitit 2026. Edhe pas afatit shtesë 30-ditor të vendosur nga Ministria e Infrastrukturës, punimet nuk u mbyllën, duke çuar institucionin në nisjen e procedurave për zgjidhjen e kontratës. Deri tani, nuk ka një reagim publik nga kompania 2A Group e Valon Ademit.
Top Channel