Zelensky akuzon Rusinë për sulme ndaj civilëve: Dronët po përdoren për “safari njerëzor” në Ukrainë

04/08/2026 15:31

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se po shënjestron qëllimisht civilët me dronë, duke e cilësuar këtë praktikë si një “safari njerëzor”.

Reagimi i tij vjen pas publikimit të pamjeve ku një dron rus ndjek një shitës ambulant në Kherson, përpara se të shpërthejë pranë tij, duke e plagosur. “Bota duhet ta shohë këtë. Rusia është çmendur dhe ushtarët e saj kënaqen duke vrarë dhe abuzuar me civilët”, deklaroi Zelensky.

Sipas presidentit ukrainas, autorët e sulmit nuk kanë shfaqur asnjë shenjë pendese, por përkundrazi janë mburrur publikisht me veprimet e tyre.

Zelensky bëri thirrje për rritjen e presionit ndërkombëtar ndaj Moskës, duke theksuar se pa dobësimin e kapaciteteve ushtarake të Rusisë dhe pa garanci reale sigurie, do të jetë e pamundur të arrihet një paqe e qëndrueshme.

“Duhet të mbetemi të vendosur në mbrojtjen e jetës dhe ta detyrojmë Rusinë të mendojë seriozisht për paqen, jo për zgjerimin e sulmeve me dronë”, u shpreh ai.

Top Channel