Ku ndodhet Mojtaba Khamenei? Tre teoritë që po qarkullojnë për liderin iranian
Irani ishte gati të sulmonte tre baza në Ukrainë pas sulmit ndaj një anijeje tregtare iraniane në Detin Kaspik, por e pezulloi planin pasi autoritetet ukrainase e cilësuan incidentin si një gabim. Kështu deklaroi Mohsen Rezaei, këshilltar i lartë ushtarak i liderit suprem iranian.
“Ne ishim gati të sulmonim tre zona në Ukrainë. Por pasi ata pretenduan se ishte një gabim, e ndaluam përgjigjen për të shqyrtuar pretendimin e tyre”, tha Rezaei në një intervistë për televizionin shtetëror iranian.
Javën e kaluar, Teherani akuzoi Kievin se goditi një anije tregtare iraniane që transportonte ngarkesë hekuri në Detin Kaspik, ku humbi jetën një marinar dhe u plagosën tre të tjerë. Nga ana tjetër, Ukraina deklaroi se kishte kryer sulme me dronë ndaj dy anijeve ruse që transportonin ngarkesa ushtarake.
Tensionet mes dy vendeve u ulën pas një bisede telefonike mes diplomatëve të lartë. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se homologu i tij ukrainas e kishte siguruar se goditja ndaj anijes iraniane ishte e paqëllimshme.
Megjithatë, Rezaei theksoi se, edhe nëse sulmi ishte një gabim, Irani kërkon kompensim për dëmet e shkaktuara.
Në të njëjtën intervistë, ai deklaroi se Irani është i fokusuar vetëm te negociatat me Omanin për çështjen e Ngushticës së Hormuzit dhe jo me Shtetet e Bashkuara. Rezaei paralajmëroi gjithashtu se, nëse bllokada vazhdon, forcat amerikane do të përballen me pasoja, duke i bërë thirrje Uashingtonit të ndryshojë qëndrim dhe të respektojë angazhimet e tij.
Top Channel