Lufta me flakët, Ministria e Mbrojtjes: 20 vatra zjarri në 24 orë, 727 forca angazhohen në terren për shuarjen e tyre

04/08/2026 11:14

727 forca operacionale janë angazhuar gjatë 24 orëve të fundit për menaxhimin e 20 vatrave të zjarrit në zona të ndryshme të vendit.

Në mbështetje të strukturave vendore janë angazhuar 128 efektivë të Forcave të Armatosura, dy automjete zjarrfikëse, një autoambulancë mjekësore dhe tre helikopterë të Forcës Ajrore.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka shprehur mirënjohje për të gjithë efektivët e angazhuar në luftën kundër zjarreve, duke vlerësuar sakrificën dhe përkushtimin e tyre në terren.

“Janë pikërisht këta njerëz të sakrificës dhe me uniformë që zgjedhin të ecin drejt rrezikut për ta eliminuar atë”, u shpreh ministri.

Sipas tij, ekipet e emergjencave kanë qenë të angazhuara që prej fillimit të sezonit veror për të përballuar situatat e krijuara nga zjarret dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve, komunitetet dhe pasuritë natyrore.

Top Channel