Kriza e emigrantëve zhvendoset në plazhet franceze, turistët përballen me skena kaotike në tentativat drejt Britanisë

04/08/2026 14:33

Pushuesit në një resort bregdetar në veri të Francës janë përballur me skena të pazakonta, pasi dhjetëra emigrantë tentuan të hipnin në një gomone për të kaluar Kanalin Anglez drejt Britanisë së Madhe.

Ngjarja ndodhi në plazhin e Hardelot-Plage, rreth 40 kilometra në jug të Calais, ku rreth 50 emigrantë me jelekë shpëtimi vrapuan drejt detit pasi dalluan një gomone rreth 100 metra larg bregut.

Mes tyre kishte edhe gra me fëmijë të vegjël, ndërsa përpjekja për t’u larguar u pengua nga policia franceze, e cila ndërhyri me varka dhe mjete ujore. Pas disa përpjekjeve, drejtuesi i gomones u largua drejt Kanalit Anglez me disa emigrantë në bord.

Pjesa tjetër e grupit mbeti në plazh, ndërsa turistët ndoqën situatën nga afër. Disa pushues u afruan për t’u dhënë ushqim dhe pije fëmijëve emigrantë që kishin mbetur në breg.

Fenomeni po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në këtë zonë. Sipas autoriteteve, rreth 700 emigrantë kanë arritur të kalojnë drejt Britanisë në vetëm një ditë javën e kaluar nga Hardelot-Plage dhe plazhet përreth.

Forcimi i kontrolleve policore pranë Calais ka bërë që trafikantët të zhvendosin aktivitetin e tyre më në jug, drejt plazheve të gjata ku ndërhyrja është më e vështirë.

Një marrëveshje e re mes Francës dhe Britanisë, me vlerë rreth 660 milionë paund, synon forcimin e patrullimeve në bregdetin francez, por autoritetet përballen me kufizime ligjore për ndërhyrjen ndaj gomoneve kur ato janë me shumë persona në bord.

Ndërkohë, emigrantët që tentojnë kalimin thonë se po largohen nga vendet e tyre për shkak të luftërave, pasigurisë dhe mungesës së perspektivës.

Sara, një emigrante nga Eritrea, tregoi se kishte tentuar kalimin drejt Britanisë me vajzën e saj 15-vjeçare, duke thënë se në vendin e saj familjet përballen me frikë dhe pasiguri të vazhdueshme.

Top Channel