Dita e 66-të e tubimit/ Protestuesit kundër Reformës Territorale dhe Konsullatës serbe në Shkodër: Shqiptarët nuk duhet të ndihen të cenuar

04/08/2026 20:00

Po mbahet sot në kryeqytet dita e 66-të e protestës.

Si çdo ditë tjetër, protestuesit u mblodhën në sheshin ‘Skënderbej’, për të marshuar më pas drejt bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’. Pas marshimit qytetarët u stacionuar para Kryeministrisë, aty ku mbajnë fjalimet si çdo natë tjetër.

Edhe sot kërkesat janë po të njëjta, ato të dorëheqjes së Qeverisë dhe krijimi i një Qeverie teknike.

“Si qytetar i Cërrikut, doja të flisja për Reformën Territoriale, sepse atë vend e njoh në çdo rrugë, lagje dhe të gjithë njerëzit. I bëj thirrje kryetarit të Bashkisë së Cërrikut, të dalë publikisht dhe të kundërshtojë shkrirjen e bashkisë. Nëse nuk është i gatshëm të mbrojë institucionin për të cilin kërkon votën, duhet të largohet”, tha një nga qytetarët e Cërrikut.

“Kur qeveria hap Konsullatë të Serbisë në Shkodër dhe nuk ka notë proteste për deklaratat spastrim etnik në Kosovë dhe nga ana tjetër shpall non grata shqiptarët tanë në Maqedoninë e Veriut. Shqipëria nuk duhet të jetë kurrë vendi ku shqiptarët ndihen të cenuar”, tha një tjetër protestues.

Top Channel