Aksident i frikshëm në Kosovë pranë kufirit me Shqipërinë, shtatë persona ngelin të plagosur Derisa po vazhdojnë gërmimet në varrezën masive në Kalludër të Zubin Potokut, autoritetet e Kosovës kanë konfirmuar edhe një lokacion tjetër ku dyshohet se mund të gjenden mbetje mortore që u përkasin të zhdukurve me dhunë nga lufta.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës konfirmuan se, më 2 gusht, gjatë hetimeve që po zhvillojnë, kanë identifikuar lokacionin e dyshuar në Jabukë të Zubin Potokut.
“Në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, Prokuroria Speciale do t’i paraqesë Gjykatës Themelore në Prishtinë kërkesë për lejimin e zhvarrimit dhe ekzaminimeve të nevojshme“, thuhet në njoftimin e përbashkët të autoriteteve në vend.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se lokacioni i identifikuar së fundmi ndodhet vetëm 10 kilometra larg varrit masiv në Kalludër.
“Pas gjetjes së mbetjeve mortore në një varr masiv në Kalludër të Zubin Potokut, ku ende po vazhdojnë kërkimet dhe gjurmimet, sot, vetëm 10 kilometra më tutje, në fshatin Jabukë të po kësaj komune, u gjet edhe një varr tjetër masiv me mbetje mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë“, ka shkruar Sveçla.
Ai shton se Serbia vazhdon të mbetet e njëjtë, duke mos dhënë informacione mbi personat e zhdukur me dhunë.
“Serbia vazhdon të mbetet e njëjtë si në kohën e Millosheviqit, jo vetëm përmes figurave si Aleksandar Vuçiqi dhe Ivica Daçiçi. Vuçiç ishte numri dy i Sheshelit, Daçiç ishte numri dy i Millosheviçit, e Vulin numri dy i Mira Markoviçit. Të tre këta janë ende në pushtet në Serbi dhe ky shtet nuk ka ndryshuar asgjë. Serbia vazhdon të mbetet e njëjta në formë dhe në përmbajtje“, tha Sveçla, teksa shtoi se Serbia po glorifikon personat që kryen krime në Kosovë.
Ministri në detyrë i Brendshëm u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve të dënojnë sjelljen e Serbisë, duke thënë se “pa një gjë të tillë jo që do të jetë i pamundur çfarëdo hapi drejt drejtësisë”.
Lidhur me këtë rast të krimeve të luftës, Policia e Kosovës të dielën ka arrestuar edhe personin e tretë.
Ndërkohë, zhvarrimi në Kalludër të Zubin Potokut po vazhdon tash e një javë, e autoritetet kanë thënë se është ende herët të flitet për identitetin e viktimave.
Ndërsa, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se mbetjet mortore dyshohet se u përkasin 23 intelektualëve të Mitrovicës, të zhdukur në prill të vitit 1999.
Top Channel