Garancia financiare prej 50 mijë eurosh nuk ka qenë e mjaftueshme për gjyqtarin e vetëm të çështjes së dytë ndaj Hashim Thaçit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, i cili ka refuzuar kërkesën për lirimin e tij me kusht.
Gjyqtari Nicolas Guillou ka vendosur që Thaçi të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë, pavarësisht se e ka vlerësuar pozitivisht garancinë financiare të ofruar nga familja dhe miqtë e tij.
Në vendimin e tij, gjyqtari thekson se shuma prej 50 mijë eurosh, e cila do të mund të konfiskohej në rast të mosparaqitjes në seancat gjyqësore, e ul rrezikun e mundshëm të largimit.
Megjithatë, Gjykata ka vendosur që paraburgimi të vazhdojë për shkak të shqetësimeve se Thaçi mund të ndikojë në proceset gjyqësore në zhvillim pranë Dhomave të Specializuara ose të kryejë vepra të tjera të ngjashme.
Nga ana tjetër, gjyqtari ka rrëzuar argumentin e Prokurorisë së Specializuar lidhur me mundësinë e arratisjes, duke vlerësuar se ky rrezik nuk është provuar në mënyrë të mjaftueshme.
Sipas vendimit, Thaçi do të qëndrojë në paraburgim të paktën deri në tetor të vitit 2026.
Ish-presidenti i Kosovës është aktualisht i vetmi nga të akuzuarit në këtë çështje që vazhdon të mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Sheveningen.
Ndërkohë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj janë liruar me kusht, me zbatimin e 14 masave të përcaktuara nga gjykata, ndërsa Hajredin Kuçi është lejuar të mbrohet në liri që nga fillimi i procesit.
Top Channel