Financim 114 mln euro nga Gjermania/ Nga energjia te konviktet, Shqipëria firmos marrëveshje për tre projekte strategjike

03/08/2026 15:25

Shqipëria do të përfitojë 114 milionë euro financim nga Gjermania për tre projekte strategjike në sektorin e energjisë dhe arsimit.

Marrëveshjet e nënshkruara parashikojnë 90 milionë euro hua dhe 24 milionë euro grant, me synim modernizimin e infrastrukturës energjetike dhe përmirësimin e kushteve për studentët.

Pjesa më e madhe e financimit do të përdoret për digjitalizimin e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike, duke automatizuar proceset dhe rritur sigurinë e rrjetit. Një tjetër projekt i rëndësishëm është rehabilitimi i hidrocentralit të Vaut të Dejës, një nga asetet kryesore të prodhimit të energjisë në vend.

24 milionë euro grant do të investohen për rikonstruksionin e konvikteve të Qytetit Studenti, me fokus efiçencën e energjisë. Investimi synon të ulë konsumin e energjisë, por edhe të krijojë kushte më të mira jetese dhe studimi për studentët.

“Ka një grant 24 milionë euro nga qeveria gjermane për rehabilitimin e konvikteve, që shkon në të mirën publike, për studentët dhe për kursimin energjetik”, u shpreh ministri Karakaçi.

Projektet do të zbatohen me mbështetjen e qeverisë gjermane dhe bankës KfË, ndërsa synojnë modernizimin e sektorit energjetik dhe rritjen e cilësisë së infrastrukturës publike në Shqipëri.

Top Channel