A do të marrë pjesë PD në zgjedhjen e emrave për Prokuror të Përgjithshëm? Berisha: I kemi dhënë fund çdo bashkëpunimi me PS

03/08/2026 11:21

Historia do të përsëritet sërish në Parlament për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

Por, ndryshe nga PD-ja e dhjetorit të vitit 2019, që me lider në atë kohë Lulzim Bashën i kishte djegur mandatet dhe ndaj nuk mori pjesë në votim, bojkoti i radhës lidhet me pretendimin e demokratëve për mënyrën se si u zgjodh Avokati i Popullit.

Në atë kohë, votat për kryeprokurorin, veç mazhorancës, i plotësoi opozita e re.

Shtatë vite më parë, megjithë bojkotin, Olsian Çela mori 101 vota, ndërsa sipas ligjit, për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm kërkohet shumicë e cilësuar, pra 84 vota. Nëse do të ketë rrjedhje votash të tjera për këtë shumicë, do ta tregojë muaji dhjetor.

Megjithatë, kryedemokrati Berisha është i qartë për diçka tjetër, pavarësisht kartonëve që nuk do t’i ngrenë për asnjërin nga tre emrat që do të përcillen nga Këshilli.

Deklaratat e Berishës u dhanë gjatë paraqitjes së tij në SPAK, ku nuk la pa lexuar letrën e radhës, si edhe komentoi atë që pa në SPAK.

“Jo, ne nuk marrim pjesë në përzgjedhje emrash. Pas aktit të tyre me Avokatin e Popullit, ne kemi ndërprerë çdo lloj bashkëpunimi në përzgjedhjen e emrave. Por mund të them që Prokurori i Përgjithshëm sot është institucioni më i zhveshur nga çdo kompetencë dhe kur dëgjoj ndonjëherë raportin e tij, ai flet sikur është drejtori i statistikave të policisë.

Është një zhveshje e gabuar, e gabuar që i kanë bërë atij sepse ai është institucion kushtetues, është institucion kushtetues dhe ta lësh atë sa për disa statistika, kjo është një akt. E të tjera, por në këtë formë siç e kanë krasitë komplet Prokurorinë e Përgjithshme, ai institucion nuk ka një rol që duhet të ketë”, u shpreh Berisha.

Top Channel