Zjarret jashtë kontrollit në Greqi/ Gazetari i Top Channel në zonën e rrezikut, flakët përfshijnë edhe banesat
Pesë persona kanë humbur jetën dhe 41 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një traget pasagjerësh mori flakë në det në Indonezi.
Sipas autoriteteve lokale, në bord ndodheshin të paktën 250 persona. Zjarri shpërtheu në tragetin KMP Mutiara Sentosa 2, ndërsa ai po lundronte pranë ishullit Madura, gjatë udhëtimit nga qyteti i dytë më i madh i vendit, Surabaya drejt Makassarit.
Agjencia Kombëtare e Kërkimit dhe Shpëtimit në Indonezi bëri të ditur se kapiteni i anijes raportoi për zjarrin, ndërsa ekipet e shpëtimit u nisën menjëherë drejt zonës së incidentit.

Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë dhjetëra pasagjerë me jelekë shpëtimi, ndërsa në pamje të tjera shihen persona që zbresin nga trageti, nga i cili dalin flakë dhe re të mëdha tymi.
Sipas BBC, informacioni për zjarrin u mor rreth orës 08:24 me orën lokale, ndërsa kompania e transportit kishte raportuar se zjarri kishte nisur rreth orës 06:00-07:00.

Më vonë, autoritetet konfirmuan se trageti ishte përfshirë pothuajse tërësisht nga flakët. Pasagjerët ishin mbledhur në pjesën e urës dhe në pjesën e përparme të anijes, ndërsa prisnin ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit.
Disa pasagjerë janë detyruar të hidhen në det për t’i shpëtuar flakëve, ndërsa të tjerë janë mbledhur në grupe me jelekë shpëtimi, duke pritur ndihmën e anijeve të shpëtimit.

Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon, ndërsa autoritetet po punojnë për gjetjen e personave të zhdukur dhe zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.
Top Channel