VIDEO/ Masakër në një restorant në SHBA, tre të vrarë dhe shtatë të plagosur nga sulmi me armë zjarri

02/08/2026 10:39

Tre persona kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë janë plagosur, disa prej tyre në gjendje kritike, pas një sulmi me armë zjarri në një restorant të rrjetit “In-N-Out Burger” në qytetin Twin Falls, në jug të shtetit Idaho, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ngjarja ndodhi pasditen e së shtunës në një qendër tregtare të frekuentuar, ku në momentin e të shtënave ndodheshin qindra persona.

Autoritetet lokale thanë se policia, pasi mbërriti në vendngjarje, gjeti trupin e personit të dyshuar si autor të sulmit në një zonë pranë restorantit. Ende nuk është konfirmuar nëse ai përfshihet në bilancin e viktimave. Sipas zyrtarëve, disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa identitetet dhe moshat e viktimave nuk janë bërë ende publike, pasi autoritetet janë në proces të njoftimit të familjarëve.

Dëshmitarët kanë rrëfyer momentet e panikut gjatë sulmit. Një 34-vjeçar tha se pa një person të armatosur me një pushkë të tipit ‘AR’ duke dalë nga zona e shërbimit me makinë, ndërsa një burrë tjetër iu kundërpërgjigj duke qëlluar me pistoletë.

Ai tregoi gjithashtu se pa një punonjës të restorantit duke tërhequr zvarrë një kolege të plagosur në gjoks për ta larguar nga zona e rrezikut, ndërsa të dy qëndruan pranë saj deri në mbërritjen e ekipeve të ndihmës së shpejtë.

Një tjetër dëshmitare, e cila ndodhej në restorant së bashku me vajzat e saj, tha se dëgjoi të shtënat që vinin nga pjesa e kuzhinës. Sipas saj, punonjësit u kërkuan klientëve të shtriheshin në dysheme dhe më pas të largoheshin me shpejtësi nga objekti.

Policia po vijon marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe mbledhjen e provave për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa ende nuk dihet nëse autori kishte në shënjestër persona të caktuar.

Top Channel