Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile monitorim satelitor 24 orë për flakët: Të dhënat për vatrat e zjarrit dërgohen në kohë reale te zjarrfikësit

02/08/2026 13:17

​Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile monitorim satelitor dhe ajror 24h me qëllim identifikimin në kohë të çdo vatre zjarri në të gjithë territorin e vendit. Përmes kësaj teknologjie, të dhënat dhe koordinatat e sakta të vendndodhjes u përcillen në kohë reale ekipeve të emergjencës dhe shërbimit zjarrfikës për një ndërhyrje të menjëhershme.

​Çdo vatër zjarri, sado e vogël apo e ndezur në hapësira private e oborre, verifikohet menjëherë në terren dhe ndaj personave përgjegjës do të merren masat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

​Për zbatimin e këtyre masave dhe identifikimin e zjarrvënësve AKMC dhe zjarrfikëset e çdo bashkie bashkëpunojnë ngushtë me ​Policinë e Shtetit.

​Për shkak të temperaturave të larta dhe erës, autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos ndezin asnjë lloj zjarri, qoftë i kontrolluar apo i pakontrolluar.​

Mjafton vetëm një shkëndijë e vogël që brenda pak minutash të shndërrohet në një zjarr masiv me pasoja të rënda për mjedisin, pronën dhe jetën e njerëzve.

Mbrojtja e komunitetit dhe e pasurive natyrore mbetet një përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe qytetarëve.

 

Top Channel