Propozimi për Reformën Territoriale, Berisha mesazh socialistëve: Ju përshëndes që dolët në protestë

01/08/2026 12:36

Protesta është kundërpërgjigjja e Sali Berishës për hartën territoriale me 46 bashki që propozon PS. Përshëndet socialistët që dogjën, në shenjë revolte, teserën e partisë dhe nxit që shembullin e tyre ta ndjekin të gjithë.

“Të ngrihen, siç u ngritën në Poliçan, në Divjakë, në Patos, në Klos, në Dimal dhe në zona të tjera”, tha ai.

Bashkitë minoritare në hartën e propozuar nga socialistët trajtohen si raste të veçanta. Berisha nuk është kundër, por sërish ka një vërejtje.

“Natyrisht, komunat minoritare, pa diskutim që duhet të respektohen dhe të mbahen. Në qoftë se ato mbahen, pse të përbuzen dhe të shumëzohen me zero komunitetet shqiptare? Ky është akt anti-shqiptar.”

Kryefjala e bashkëbisedimit të Berishës me miqtë e tij virtualë ishte protesta. Një e tillë zhvillohet prej 63 ditësh në bulevard. Berisha ka vendosur të mos dëgjojë thirrjet për burgosjen e tij dhe fton demokratët të shtojnë numrat në shesh.

“Sonte proteston diaspora në Tiranë, ftoj çdo demokrat të jetë pjesë e këtij uragani që ka tronditur regjimin e Edi Ramës”.

Mbështetësit e tij i kërkuan t’i kthejë përgjigje Ilir Beqajt, që i ka lënë takim në vjeshtë si dëshmitar në procesin për koncesionin e instrumenteve kirurgjikale.

Nuk shpreson që SPAK të hetojë vëllanë e kryeministrit Rama, Olsin, për licencën e kazinosë në Air Albania. Paralajmëron se PD do të vërë në dijeni amerikanët që ta hetojnë për shkak të pasaportës së tij shqiptaro-amerikane.

Top Channel