Situata e zjarrit në magazinën në Shkozet vijon të mbetet e rënduar, ministri Karakaçi: Për arsye sigurie kemi stakuar linjat e energjisë në Durrës

30/07/2026 21:38

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, ka reaguar në lidhje me zjarrin që ka përfshirë një magazinë të fishekzjarrëve dhe oxhaqeve në Shkozet.

Karakaçi ka bërë një reagim në lidhje me situatën e furnizimit me energji elektrike në Durrës, kjo pas ndërprerjeve në një pjesë të madhe të qytetit.

Ai deklaroi se është stakuar një nga linjat 110 kV si masë sigurie, me kërkesë të zjarrfikësve. Ministri shtoi se rivënia në punë e këtyre linjave do të bëhet sapo të jetë shuar plotësisht zjarri dhe të krijohen kushtet e nevojshme për ndërhyrjen e sigurt të ekipeve në terren.

“Situata e krijuar nga zjarri i rënë në një objekt privat (magazinë) në afërsi të rrjetit 110 kV në Shkozet vijon të jetë e rënduar. Shërbimi zjarrfikës po vazhdon punën për shuarjen e plotë të vatrës së zjarrit, ndërsa njëra nga linjat 110 kV mbahet e stakuar si masë sigurie, me kërkesë të zjarrfikësve.

Në orën 15:40, si pasojë e zjarrit, u stakuan linjat 110 kV që furnizojnë nënstacionin e Shkozetit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në qytetin e Durrësit.

Brigadat e OST sh.a. ndodhen në terren dhe do të ndërhyjnë për riparimin e defektit dhe dëmeve të shkaktuara në linjën 110 kV menjëherë pas shuarjes së plotë të zjarrit.

Nga ana e #OSSH janë marrë masa të menjëhershme për furnizimin e një pjese të zonave përmes linjave alternative (unazë). Furnizimi me energji është rikthyer pjesërisht në Durrës dhe po punohet për normalizimin e plotë të situatës.

Megjithatë, situata mbetet e vështirë, pasi furnizimi përmes unazimeve nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë për shkak të ngarkesës së lartë në rrjet.

Rivënia në punë e linjave 110 kV do të bëhet sapo të jetë shuar plotësisht zjarri dhe të krijohen kushtet e nevojshme për ndërhyrjen e sigurt të ekipeve në terren.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për situatën e krijuar dhe siguron se strukturat e OST dhe OSSH janë në gatishmëri të plotë për të rikthyer sa më parë energjinë në të gjithë zonën e prekur”, njoftoi Karakaçi.

Top Channel