Rama flet për kthesë në mandatin e katërt, u shpërndan deputetëve dokumentin “Prania besnike”: Ose nis në këtë sallë, ose nuk nis fare

30/07/2026 18:30

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Partia Socialiste ka hyrë në një fazë të re organizimi, duke prezantuar para drejtuesve politikë dhe drejtuesve të komisioneve parlamentare dokumentin “Prania Besnike”, të cilin e cilësoi si një aneks të strategjisë “Besa”.

Sipas tij, dokumenti synon transformimin e partisë për t’iu përshtatur sfidave të mandatit të katërt, ndërsa paralajmëroi se historia tregon se partitë humbasin pushtetin kur shkëputen nga dëgjimi i qytetarëve.

“Ky takim me drejtuesit politikë, si edhe me drejtuesit e komisioneve të përhershme parlamentare, është vazhdimi i mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar dhe kabinetit qeveritar, për të nisur një diskutim së bashku rreth dimensionit të partisë në fazën e re ku ka hyrë vendi dhe ku kemi hyrë edhe ne si shumicë qeverisëse.

Dokumentin strategjik “Besa” e keni tanimë në dorë; ky tjetri që është këtu, të cilin e keni marrë dhe që e ndaj me ju sot, fillimisht për një diskutim të brendshëm, quhet “Prania Besnike” dhe është aneks i atij të parit.
“Prania Besnike” adreson vetëm partinë, me synim që ta vendosë atë në funksion të kthesës së mandatit të katërt dhe, nëse herën e shkuar fola për qeverisjen e kësaj faze të re, sot do të flas për “makinerinë” tonë të partisë.

Dhe dua t’ju them se, paralelisht me reflektimin përpara pasqyrës së bulevardit të “flamingove”, kam kaluar edhe disa kohë në “varrezat” ku prehen historitë e partive dhe të lëvizjeve që fituan gjithçka, por që, më herët ose më vonë, humbën sfidën e vazhdimësisë së qëndrueshme të fitoreve të tyre.
Të gjithë gurët në ato “varreza” kanë të njëjtin mbishkrim: asnjëri nuk e humbi pushtetin nga dëgjimi; të gjithë e humbën dëgjimin nga pushteti.

Barack Obama fitoi në vitin 2008 me lëvizjen më të madhe vullnetare që kishte parë historia e demokracisë amerikane. Mbi 2 milionë vullnetarë ose, siç quhen në shqip, patronazhistë aktivë; ekipe lagjesh me emra, role, me përgjegjësi të matshme dhe të matura çdo javë, si dhe 13 milionë adresa njerëzish të lidhura me kauzën. Një muaj pas fitores, të cilën askush nuk e parashikoi në fillim, por pastaj gjithë bota e admiroi në fund, ajo lëvizje vullkanike u ftoh. Rrjeti nuk u zhduk formalisht, por u fut brenda zyrave të administratës dhe u vu në shërbim të agjendës së Shtëpisë së Bardhë. Protagonistët kryesorë u kthyen në zëdhënës të pushtetit të ri dhe kori më masiv i përcjelljes së një mesazhi politik në historinë e Amerikës u tret në lumenjtë e turmave të jetës së përditshme.

Dy vjet më vonë, në zgjedhjet e para të mesmandatit, makineria që kishte magjepsur botën nuk kishte më jetë dhe partia e presidentit pësoi njërën nga disfatat më të rënda në historinë e saj. Vetë Obama e ka pranuar më vonë si një nga dështimet më të mëdha politike.
Ndërkohë që, më poshtë, në jug, Partia e Punëtorëve të Brazilit, një tjetër fenomen i pazakontë politik, kishte vendosur në Porto Alegre gurthemelin më mbresëlënës të së majtës botërore, të gdhendur në historinë e saj: buxhetimin me pjesëmarrje.

Dhjetëra mijëra qytetarë vendosnin vetë, me votë të hapur në asambletë e lagjeve, se ku do të shkonin investimet e qytetit. Uji dhe kanalizimet vajtën nga 75% në 98% të mbulimit. Katër mandate radhazi populli zgjodhi Partinë e Punëtorëve, pastaj partia fitoi Brazilin. Kuadrot më të mirë të Porto Alegres ikën nëpër ministritë e kryeqytetit. “Energjia” politike që e mbante gjallë buxhetimin me pjesëmarrje filloi të shteronte dhe partia, që i kishte mësuar botës dëgjimin, humbi qytetin e vet një vit pas fitores kombëtare. Mekanizmi mbijetoi formalisht edhe për disa vite, por pa të njëjtën fuqi, pa të njëjtën pjesëmarrje dhe pa të njëjtin vullnet politik, derisa u fashit. Kutia e buxhetimit mbeti aty, por fryma që e kishte bërë atë zemrën e komunitetit iku bashkë me ata që u futën në administratë.

Nga kjo anë e oqeanit ka plot raste, por unë zgjodha të kujtoj këtu Francën. Emmanuel Macron e ndërtoi partinë e tij në kohë rekord. Trokiti në 300 mijë dyer; 5 mijë vullnetarë për 3 muaj; 25 mijë bashkëbisedime të regjistruara me pesë pyetje të hapura: çfarë funksionon dhe çfarë nuk funksionon në Francë. Përgjigjet u bënë program dhe, pasi ai fitoi presidencën, partia e tij fitoi edhe shumicën absolute në zgjedhjet parlamentare. Më pas, komitetet lokale mbetën në hartën e partisë, por pa funksion, pa autonominë dhe pa arsyen për të cilën njerëzit kishin hyrë në ato komitete. Zgjedhësit që u anëtarësuan për të qenë bashkëautorë të lëvizjes e gjetën veten spektatorë të një pushteti që fliste vetëm nga lart. Partia shkoi nga rënia në rënie, duke e lënë praktikisht, për herë të parë pas shumë vitesh, presidentin pa shumicë dhe Francën me një fragmentim parlamentar krejt të pazakontë për historinë e Republikës së Pestë”, tha Rama.

Top Channel