Pushimet u kthyen në tragjedi/ Vijojnë hetimet për vdekjen e nënës dhe dy fëmijëve të mitur që humbën jetën nga zjarri, ku dyshon policia

30/07/2026 15:15

Janë përcjellë këtë të enjte për në banesën e fundit Bleona Çelaj, 24 vjeçe, dhe dy fëmijët e saj të mitur, 1 dhe 3 vjeç, të cilët humbën jetën tragjikisht pasi zjarri përfshiu banesën e tyre në fshatin Domen të Postribës.

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave. Trupat e pajetë i janë nënshtruar ekzaminimeve mjeko-ligjore, ndërsa në vendngjarje janë gjetur edhe mbetje të një bombole gazi, e cila dyshohet se mund të ketë shkaktuar shpërthimin.

Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet të ketë qenë aksidentale.

Ndërkohë, nëna e 24-vjeçares, në gjendje të rënduar psikologjike, ka deklaruar paraprakisht para grupit hetimor se vajza nuk kishte pasur marrëdhënie të mira me bashkëshortin kohët e fundit.

Nga ana tjetër, bashkëshorti i viktimës ka dëshmuar se në momentin kur ka rënë zjarri ndodhej në një dyqan, rreth 20 minuta larg në këmbë nga banesa, në qendër të fshatit, ku kishte shkuar për të blerë disa gjëra për familjen.

Fakti që banesa ndodhej në një zonë të izoluar, pa shtëpi të tjera pranë, bëri që zjarri të konstatohej me vonesë. Sipas hetimeve, terreni i vështirë malor dhe mungesa e një njoftimi të menjëhershëm kanë qenë faktorë që ndikuan në pasojat tragjike të ngjarjes.

Familja Çelaj jetonte në Gjermani, ku ishte e pajisur me dokumente qëndrimi, dhe kishte ardhur disa ditë më parë në Shqipëri për të kaluar pushimet.

Top Channel