“Pas 14 muajsh refuzime, na lejuan ta takojmë në paraburgim”/ Avokati i Veliajt: Po përgatisim aplikimin për në Strasburg

30/07/2026 10:29

Avokati ndërkombëtar i Erion Veliajt, Ben Brandon, ka deklaruar se ai dhe ekipi i tij kanë nisur përgatitjen e aplikimit që do t’i drejtohet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Në një konferencë krah avokatit tjetër të kryebashkiakut të Tiranës, Plarent Ndreca, Brandon u shpreh se pas 14 muajsh kërkesash të refuzuara, autoritetet shqiptare u kanë lejuar më në fund të takojnë Veliajn në paraburgimin e Durrësit, ndërsa kritikoi kufizimet e mëparshme ndaj aksesit të mbrojtjes ligjore.

“Ne jemi përfaqësuesit ligjorë ndërkombëtarë të z. Veliaj. Kjo është një çështje me rëndësi të lartë publike, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë. Ne jemi për të asistuar z. Veliaj për aplikimin e tij drejtuar Strasburgut. Ditët e fundit ne i kemi kaluar në paraburgimin ku ai ndodhet për të hartuar aplikimin dhe do të kthehemi sërish në shtator.

Siç e theksova, ne kemi përfaqësuar ligjërisht z. Veliaj që nga fillimet e ndalimit të tij.

Pas një ndryshimi të vendimmarrjes nga autoritetet në Tiranë, e cila ishte me vonesë, ne na u dha mundësia të takohemi me z. Veliaj, pas 14 muajsh kërkesash të refuzuara.

Ne jemi mirënjohës për mundësinë që na është dhënë për të takuar z. Veliaj në paraburgimin në Durrës.

Gjithsesi, riktheksojmë se refuzimi i qasjes nga përfaqësuesit e zgjedhur ligjorë për Erion Veliaj është i papranueshëm. Ndryshimi i qasjes nga autoritetet shqiptare për ne është i pakuptueshëm. Është e drejta e tij për të zgjedhur përfaqësues ligjorë dhe të ketë akses te ata”, u shpreh avokati Brandon.

Top Channel