Iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale, Ministria e Shëndetësisë kërkon hetim administrativ për rastin e 52-vjeçarit në Durrës

30/07/2026 09:28

Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar nisjen e një hetimi të thelluar administrativ lidhur me trajtimin e rastit të pacientit 52-vjeçar me inicialet A.A., nga qyteti i Durrësit.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimi do të shqyrtojë në mënyrë të plotë jo vetëm procedurat dhe masat e ndërmarra nga strukturat spitalore, por edhe veprimet dhe përgjegjësitë e strukturave të shërbimit social të përfshira në këtë rast.

Në kuadër të procesit, drejtuesit e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe të Shërbimit Social Shtetëror ndodhen në terren për të kryer verifikime të drejtpërdrejta dhe për të mbikëqyrur hetimin administrativ të strukturave në qytetin e Durrësit.

Ministria bën të ditur se pacienti ndodhet aktualisht nën kujdesin e strukturave shëndetësore në Spitalin Rajonal të Durrësit, ndërsa po verifikohet i gjithë dokumentacioni shëndetësor dhe administrativ, si edhe përgjegjësia e personave të përfshirë në menaxhimin dhe transportimin e tij.

Në përfundim të njoftimit, MSHMS thekson se mbetet e angazhuar për të garantuar transparencë të plotë, zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit dhe marrjen e çdo mase administrative apo ligjore që do të rezultojë e nevojshme.

Pacienti, përdorues heroine, përfitues i metadonit dhe mbartës i virusit HIV, kishte kaluar thuajse dy muaj në spitale dhe vetëm 20 ditë më parë ishte operuar në Qendrën Spitalore Universitare. Pas rikthimit në Durrës dhe daljes nga spitali, gjendja e tij u përkeqësua, duke bërë të nevojshme një tjetër ndërhyrje kirurgjikale në Spitalin Rajonal të Durrësit.

Aktualisht ai ndodhet në reanimacion nën kujdesin e ekipit mjekësor. Sipas mjekëve, gjendja e tij është e qëndrueshme pas ndërhyrjes së fundit dhe, nëse ecuria vijon pozitive, pritet të transferohet në pavion.

Top Channel