Zjarret ekstreme përfshijnë Evropën, ekspertët: Kontinenti po hyn në një realitet të ri klimatik Në Francë, zjarri i madh pranë Bordosë është vendosur nën kontroll pas një jave operacionesh, por ende nuk është shuar plotësisht.
Flakët kanë djegur rreth 42 mijë hektarë pyje dhe kanë detyruar 220 mijë banorë e turistë të largohen.
Disa dhjetëra mijëra njerëz janë lejuar të kthehen në shtëpi, por autoritetet paralajmërojnë se temperatura deri në 42 gradë dhe erërat e thata mund ta riaktivizojnë zjarrin.
Franca ka mobilizuar edhe ndihmën evropiane, ndërsa sipërfaqja e djegur gjatë vitit ka kaluar 116 mijë hektarë.
Në Spanjë, zjarret në Ávila, Madrid dhe Toledo mbeten aktive, por situata është përmirësuar dhe dhjetëra mijëra banorë janë rikthyer në 15 bashki.
Vatra kryesore ka djegur mbi 77 mijë hektarë, ndërsa në të gjithë vendin sipërfaqja e prekur këtë vit ka kaluar 170 mijë hektarë.
Bilanci i sezonit në Spanjë ka arritur në të paktën 14 viktima, shumica nga zjarri shkatërrues në Almeria. Vala e re e të nxehtit pritet ta mbajë rrezikun në nivele ekstreme.
Top Channel