Tragjedia me tre viktima në Postribë, nis me një minutë heshtje mbledhja e Këshillit Bashkiak në Shkodër

29/07/2026 19:41

Mbledhja e Këshillit Bashkiak Shkodër ditën e sotme nisi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të tragjedisë në Postribë të Shkodrës ku humbën jetën nëna me dy fëmijët e saj të mitur.

24-vjeçarja Bleona Çobaj dhe dy fëmijët e saj ( me mbiemër Çela), të moshës 1 dhe 3 vjeç humbën jetën pasi banesa e vjetër u përfshi nga flakët.

Policia sqaroi se ngjarja e rëndë kishte ndodhur rreth orës 13:10, kur 24-vjeçarja kishte qenë brenda banesës me dy fëmijët.

Për fat të keq asnjë prej tyre nuk u arrit të shpëtohej në kohë. Paraprakisht dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar një shpërthimi i një bombole gazi që ndodhej në banesën e vjetër të familjes Çela, ndërsa në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një shishe me benzinë.

Familja Çela jetonte në Gjermani dhe kishte ardhur me pushime në Shkodër. Siç raporton korrespondenti i Top Channel Klodian Zhivani, ata kishin mbërritur sot në fshatin Domen, në shtëpinë e vjetër të familjes, pasi ata jetonin në Shkodër, me qëllimin për ta riparuar dhe për të bërë disa punime.

Top Channel