Vetëm pak kilometra larg Gjirokastrës, fshati Palokastër po shuhet! Sot kanë mbetur vetëm rreth 30 familje, ndërsa banorët thonë se prej vitesh jetojnë mes mungesës së ujit të pijshëm dhe neglizhencës institucionale.
Furnizmi me ujë bëhet vetëm me orar, ndërsa banorët ankohen se uji që mbërrin në çezma është shpesh i ndotur. Problemi, sipas tyre, lidhet edhe me rrjetin e amortizuar të ujësjellësit.
Në shumë segmente, tubacionet janë të shtrira mbi sipërfaqen e tokës, përgjatë rrugëve të fshatit, të ekspozuara ndaj dëmtimeve dhe ndotjes.
Banorët thonë se kjo situatë vazhdon prej vitesh, pavarësisht ankesave të vazhdueshme. Për banorët, uji i pijshëm është kthyer në shqetësimin kryesor të përditshmërisë.
Ndërkohë, mungesa e investimeve në shërbimet bazë po e zbraz edhe më tej këtë fshat, që ndodhet fare pranë Gjirokastrës. Shtëpitë mbyllen njëra pas tjetrës, të rinjtë largohen dhe Palokastra po mbetet një tjetër simbol i braktisjes së zonave rurale.
Top Channel