Irani sekuestron tre anije cisternë në Ngushticën e Hormuzit, Garda Revolucionare: SHBA-ja nuk do të mbeten pa përgjigje

29/07/2026 17:38

Marina e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit njoftoi se ka sekuestruar tre anije cisternë nafte në Ngushticën e Hormuzit, duke pretenduar se ato kishin shpërfillur paralajmërimet e forcave iraniane.

Sipas një deklarate të cituar nga agjencia iraniane e lajmeve Tasnim, anijet u “shënjestruan dhe u sekuestruan” pasi nuk iu bindën urdhrave të autoriteteve iraniane.

Megjithatë, Garda Revolucionare nuk bëri të ditur emrat e cisternave, flamujt që mbanin apo pronësinë e tyre. Po ashtu, nuk u publikuan detaje mbi vendndodhjen e saktë të incidentit apo shkeljet e pretenduara që çuan në sekuestrimin e tyre.

Ky zhvillim vjen pasi Teherani ka refuzuar përdorimin e korridorit detar jugor përgjatë bregdetit të Omanit, duke këmbëngulur në zbatimin e qasjes së tij për lundrimin në këtë rrugë detare me rëndësi strategjike.

Në deklaratën e saj, Garda Revolucionare lëshoi edhe një paralajmërim të ri ndaj Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se “ndërhyrjet dhe urdhrat e paligjshëm” të Uashingtonit “nuk do të mbeten pa përgjigje nga anijet në rajon”.

Top Channel