Hyri me skaf në zonën e pushuesve, drejtuesi gjobitet me 500 mijë lekë dhe i bllokohet mjeti

29/07/2026 14:41

Një drejtues mjeti lundrues është ndëshkuar me gjobë 500 mijë lekë të rinj dhe i është bllokuar skafi, pasi u konstatua duke lundruar me shpejtësi brenda perimetrit të sigurisë të dedikuar për pushuesit në Shëngjin.

Sipas policisë, drejtuesi i mjetit, shtetasi me iniciale D. M., kishte hyrë në zonën e rezervuar për pushuesit, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e personave që ndodheshin në plazh.

Në përfundim të veprimeve procedurale, ndaj tij u vendos masa administrative prej 500 mijë lekësh, ndërsa mjeti lundrues u bllokua.

Njoftimi:

Shkeli perimetrin e sigurisë, lundroi me shpejtësi brenda zonës së dedikuar për pushuesit, Policia Kufitare e ndëshkon me masë administrative 500 000 lekë të rinj dhe bllokon mjetin lundrues.

Shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare, gjatë monitorimit të zonës bregdetare, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Lezhë, kanë evidentuar një mjet lundrues që kishte hyrë dhe po lëvizte me shpejtësi brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e pushuesve që po bënin plazh.

Në vijim të veprimeve procedurale, drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi D. M., u ndëshkua me masë administrative 500 000 lekë të rinj, si dhe u bllokua mjeti lundrues.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe denoncimet e tyre, të cilat ndihmojnë në evidentimin dhe ndëshkimin në kohë të shkeljeve që rrezikojnë sigurinë e pushuesve. Çdo denoncim trajtohet me seriozitet dhe verifikohet menjëherë nga strukturat policore, në funksion të garantimit të sigurisë në hapësirat bregdetare.

Apelojmë për të gjithë drejtuesit e mjeteve lundruese dhe subjektet që operojnë me to të respektojnë me rigorozitet rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë. Reagimi do të jetë i menjëhershëm ndaj çdo shkelësi, me qëllim garantimin e jetës dhe sigurisë së pushuesve.

Top Channel