Tërmeti dhe shpërthimi në qendrën tregtare në Japoni, 3 të vdekur dhe 3 të zhdukur
Administrata e presidentit Donald Trump ka njoftuar ndalimin e importit në Shtetet e Bashkuara të robotëve të rinj humanoidë dhe robotëve me katër këmbë të prodhuar jashtë vendit, duke argumentuar se këto pajisje paraqesin “rreziqe të papranueshme” për sigurinë kombëtare.
Masa përfshin gjithashtu ndalimin e importit të invertorëve të energjisë që përdoren në qendrat e të dhënave dhe sistemet e energjisë diellore.
Vendimi u bë publik nga Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC), i cili i shtoi këto produkte në Listën e Mbuluar, regjistri i pajisjeve dhe shërbimeve që konsiderohen kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Kryetari i FCC-së, Brendan Carr, deklaroi se agjencia po ndërmerr hapa për të mbrojtur zinxhirët kritikë të furnizimit të vendit.
Sipas FCC-së, robotët e prodhuar jashtë SHBA-së mund të përdoren për mbikëqyrjen e qytetarëve amerikanë, për të rritur aftësitë e shërbimeve të huaja të inteligjencës ose për t’u kontrolluar nga distanca nga aktorë keqdashës.
Po ashtu, invertorët e energjisë mund të shfrytëzohen për të ndërprerë funksionimin e sistemeve, për të vjedhur të dhëna ose për të lehtësuar sulme kibernetike ndaj infrastrukturës kritike.
Ndalimi zbatohet vetëm për modelet e reja të këtyre pajisjeve dhe nuk prek robotët apo invertorët që kanë marrë më parë autorizim nga FCC për t’u importuar ose shitur në tregun amerikan.
Shumica e robotëve të avancuar humanoidë dhe me katër këmbë prodhohen në Kinë, e cila po konkurron me SHBA-në në zhvillimin e robotikës dhe inteligjencës artificiale.
Në këtë kuadër, vendimi shihet si pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për të mbrojtur epërsinë teknologjike dhe për të kufizuar varësinë nga teknologjitë e huaja.
Ambasada kineze në Uashington reagoi duke e cilësuar vendimin si një politizim të çështjeve tregtare dhe të sigurisë.
Pekini deklaroi se kundërshton përdorimin e “preteksteve të pabaza” për vendosjen e sanksioneve ndaj kompanive kineze dhe paralajmëroi se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e tij.
Gjithashtu, autoritetet kineze i bënë thirrje SHBA-së të heqë dorë nga “mentaliteti hegjemonik” dhe të mbështesë bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Top Channel