Zjarr pranë godinës së Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Fier, flakët përfshijnë një sipërfaqe me barishte të thata

28/07/2026 21:04

Një zjarr është regjistruar pasditen e sotme në pjesën e pasme të godinës së Drejtorisë Rajonale të Arsimit në Fier, duke vënë në alarm shërbimin zjarrfikës dhe Policinë.

Siç raporton korrespondenti i Top Channel Neritan Trifoni, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me barishte të thata, por falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse është bërë e mundur izolimi dhe shuarja e zjarrit, pa lejuar që ai të përhapej drejt godinës së institucionit.

Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga djegia e disa barishteve nga një banor i zonës, duke bërë që flakët të dalin jashtë kontrollit.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe shërbimet e Policisë së Fierit, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes.

Top Channel