Përplasja për huanë nga SHBA-ja, grupi parlamentar i PD kërkon mbledhje urgjente të Këshillit të Legjislacionit

27/07/2026 15:21

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar thirrjen urgjente të mbledhjes së Këshillit të Legjislacionit për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së shqyrtimit, me procedurë të përshpejtuar, të marrëveshjes së huas me SHBA-në, brenda të njëjtës ditë dhe pa u shpërndarë paraprakisht deputetëve të pakicës teksti i marrëveshjes dhe relacioni shoqërues.

“I nderuar z. Kryetar, Kjo kërkesë paraqitet për shkak të shqetësimeve serioze lidhur me respektimin e rregullave kushtetuese dhe procedurale që garantojnë ushtrimin efektiv të mandatit të deputetit dhe të funksionit ligjvënës të Kuvendit.

Nga të dhënat e bëra publike rezulton se marrëveshja ka qenë në dispozicion të Këshillit të Ministrave prej disa javësh, ndërsa Kuvendit i është përcjellë vetëm pak ditë përpara përfundimit të sesionit parlamentar, duke u kërkuar shqyrtimi dhe miratimi i saj me procedurë të përshpejtuar. Për më tepër, deputetëve të opozitës parlamentare dhe, në mënyrë të veçantë, deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, teksti i plotë i projektligjit dhe i marrëveshjes nuk u është vënë në dispozicion në mënyrë efektive dhe brenda një kohe të arsyeshme përpara shqyrtimit dhe votimit.

Sipas nenit 14, pika 1, të Rregullores, Këshilli për Legjislacionin është organ këshillimor që vlerëson ose jep mendim për çështjet kushtetuese ose ligjore që ngrihen në lidhje me tekstin e një projektligji, si dhe për çështjet e harmonizimit të projektligjit me aktet e tjera ligjore në fuqi, jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë.

E konsiderojmë të papranueshme që deputetëve t’u kërkohet të diskutojnë dhe të votojnë një tekst me të cilin nuk kanë pasur mundësi reale të njihen, të cilin nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme ta lexojnë dhe për të cilin nuk kanë mundur të vlerësojnë pasojat juridike, financiare dhe institucionale.

Një mënyrë e tillë procedimi nuk gjen mbështetje në Kushtetutë, në Rregulloren e Kuvendit apo në parimet themelore të parlamentarizmit demokratik. Ajo cenon karakterin substancial të shqyrtimit parlamentar dhe rrezikon ta reduktojë votën e deputetit në një veprim formal, të paparaprirë nga informimi, analiza dhe debati real parlamentar.

Në këtë drejtim, neni 69, pika 2, i Rregullores përcakton shprehimisht se Kryetari i Kuvendit urdhëron menjëherë shpërndarjen e projektligjeve deputetëve. Pika 3 e të njëjtit nen parashikon, si rregull të përgjithshëm, se shqyrtimi i projektligjeve nuk mund të fillojë pa kaluar të paktën dy javë nga data e paraqitjes së tyre, me përjashtim të rasteve kur në Rregullore përcaktohet ndryshe.

Edhe kur ndiqet procedura e përshpejtuar, neni 28 i Rregullores parashikon rregulla dhe garanci të posaçme procedurale. Sipas pikës 1 të këtij neni, vetëm me kërkesë të Këshillit të Ministrave ose të një të pestës së të gjithë numrit të deputetëve, Kuvendi mund të shqyrtojë një projektligj me procedurë të përshpejtuar. Sipas pikës 3, kërkesa për procedurë të përshpejtuar paraqitet me shkrim te Kryetari i Kuvendit, i cili ia njofton Kuvendit në seancën plenare më të parë.

Pas njoftimit të Kryetarit dëgjohet një folës pro dhe një folës kundër, ndërsa Kryetari i Kuvendit i paraqet kuvendit për votim projektvendimin përkatës, në të cilin përcaktohen data e shqyrtimit të projektligjit në komisionin përgjegjës, afati brenda të cilit mund të propozohen amendamente dhe data e shqyrtimit në seancë plenare.
Në çdo rast, sipas nenit 28, pika 4, afati brenda të cilit çështja duhet të shqyrtohet në komision dhe në seancë plenare nuk mund të jetë më pak se një javë nga data e paraqitjes së kërkesës nga Kryetari i Kuvendit në seancë plenare.

Për rrjedhojë, përdorimi i procedurës së përshpejtuar nuk mund të interpretohet si përjashtim nga detyrimi për t’ua shpërndarë deputetëve projektligjin dhe dokumentacionin shoqërues, as si autorizim për të shmangur informimin efektiv, shqyrtimin parlamentar, paraqitjen e amendamenteve dhe zhvillimin e debatit. Procedura e përshpejtuar shkurton afatet procedurale vetëm brenda kufijve të përcaktuar nga Rregullorja, por nuk eliminon të drejtat dhe garancite themelore që u mundësojnë deputetëve ushtrimin real, të ndërgjegjshëm dhe të informuar të mandatit të tyre kushtetues.

Duke qenë se shqyrtimi me procedurë të përshpejtuar i këtij projektligji brenda të njëjtës ditë, pa iu shpërndarë deputetëve paraprakisht teksti i marrëveshjes dhe relacioni shoqërues, ngre disa pikëpyetje lidhur me respektimin e detyrimeve që burojnë nga neni 2, pika 2, neni 70, pika 1, neni 75. pika 2, neni 82, pika 1, neni 83, pika 2, e Kushtetutës së Shqipërisë, neni 28, pika 3, neni 46, pika 1, neni 48, pika 1, neni 68, pika 2, neni 69, pika 2, të Rregullores së Kuvendit, neni 4, pikat 1 dhe 3, neni 5, të Ligjit Nr. 8850, datë 18.11.1999 “Statusi i Deputetit”, i ndryshuar, dhe vendimi Nr. 28, datë 23.02.2026 të Gjykatës Kushtetuese, në drejtim të garantimit të parimit të demokracisë përfaqësuese, respektimit të të drejtave që burojnë nga statusi kushtetues i deputetëve, zbatimit të standardeve të sanksionuara nga jurisprudenca kushtetuese, në mbështetje të nenit 14, pika 6, të Rregullores së

Kuvendit, kërkojmë:
1. Pajtueshmërinë e procedurës së ndjekur me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit;
2. Respektimin e detyrimit për shpërndarjen e menjëhershme dhe efektive të projektligjit dhe të tekstit të marrëveshjes për të gjithë deputetët;
3. Respektimin e afateve dhe të garancive procedurale të përcaktuara në nenet 28 dhe 69 të Rregullores së Kuvendit;
4. Kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e përdorimit të procedurës së përshpejtuar në rrethanat konkrete;
5. Ndikimin e procedurës së ndjekur mbi të drejtën dhe detyrimin e deputetëve për shqyrtim efektiv, të plotë dhe substancial të projektligjit;
6. Mundësinë reale të deputetëve për të ushtruar të drejtën e debatit, të paraqitjes së amendamenteve dhe të votimit të informuar.

Theksojmë se qëndrimi ynë nuk lidhet me përmbajtjen politike të marrëveshjes dhe as me kundërshtimin në parim të huasë së ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilën në parim nuk kemi asnjë kundërshtim. Çështja që kërkojmë të shqyrtohet nga Këshilli lidhet vetëm me respektimin e Kushtetutës, të Rregullores së

Kuvendit dhe të standardeve të një procesi të rregullt parlamentar.

Ajo lidhet gjithashtu me trajtimin me respekt dhe dinjitet të çdo deputeti, pa dallim nëse i përket shumicës apo opozitës parlamentare, veçanërisht sa i takon njohjes efektive me tekstet që do të diskutohen dhe votohen në Kuvendin e Shqipërisë.

Vënia në dispozicion në kohë e teksteve që do të shqyrtohen dhe votohen nuk është privilegj politik, por kusht themelor për ushtrimin e mandatit kushtetues të deputetit dhe për legjitimitetin demokratik të procesit ligjvënës.

Për sa më sipër, kërkojmë:
1. Nxjerrjen e menjëhershme të urdhrit për thirrjen urgjente të mbledhjes së Këshillit për Legjislacionin;
2. Përcaktimin e çështjes së mësipërme në rendin e ditës së Këshillit, në përputhje me nenin 14, pika 6, të Rregullores së Kuvendit;
3. Vënien menjëherë në dispozicion të anëtarëve të Këshillit dhe të të gjithë deputetëve të tekstit të plotë të projektligjit, të marrëveshjes, të relacionit shoqërues dhe të çdo dokumenti financiar, juridik ose teknik që lidhet me të.

Duke konsideruar afatet e kufizuara dhe rëndësinë e respektimit të garancive kushtetuese dhe procedurale parlamentare, kërkojmë që kjo kërkesë të trajtohet me urgjencë dhe përpara shqyrtimit përfundimtar të projektligjit në seancë plenare”, thuhet në shkresën e PD.

Top Channel