Reshjet e vazhdueshme të shiut nga nata e shkuar e që kanë vazhduar edhe të hënën, kanë shkaktuar përmbytje në komunën e Rahovecit.

Pamjet e publikuara nga mediat lokale dhe qytetarët tregojnë për rrugët e qytetit të mbushura me ujë. Krahas kësaj, parkingu nëntokësor në këtë komunë i tëri është nën ujë.

Reshjet e shiut kanë përmbytur edhe tokat bujqësore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, e oborret e shtëpive të qytetarëve.

Paraditen e së hënës, në zonat e prekura kanë nisur punën ekipet emergjente të komunës.

“Pas reshjeve të dendura të shiut, veçanërisht në zonën urbane të Rahovecit, ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, në bashkëpunim me kompanitë e kontraktuara, kanë dalë menjëherë në terren për pastrimin e rrugëve, largimin e materialeve të sjella nga reshjet dhe rikthimin e qarkullimit normal”, thuhet në njoftimin e autoriteteve lokale.

Reshjet e shiut kanë bllokuar për një kohë qarkullimin e automjeteve edhe në rrugën Ferizaj – Shkup, pasi është mbushur me ujë.

Vështirësi në lëvizje, si pasojë e shiut, janë shkaktuar edhe në disa zona të qytetit të Gjakovës.

Top Channel