Exclusive/ Nga “ishulli i thesarit” në burgun 313, historia e pabesueshme e Davide Pekorelli, si e inskenoi vrasjen e tij me priftin nga Shkodra: Kisha borxhe, doja të… Zbardhja e vendimeve me vonesë po përdoret nga të dënuarit si argument për të përfituar edhe nga Amnistia 2026.
Paditësit po shfrytëzojnë ligjin, të cilin e lexojnë se u jep edhe atyre të drejtë atëherë kur vendimmarrja është deklaruar nga shkalla e parë, por që, duke mos u ankimuar, duhet të kishte hyrë në fuqi para datës 31 maj.
Kërkuesit pretendojnë se kjo e drejtë, që buron nga ligji, nuk u përdor prej tyre, pasi shkalla e parë, duke mos zbardhur vendimmarrjen, u ka mohuar të drejtën që vendimi të merrte formë të prerë brenda afatit, ndaj duhet të shpallen të amnistuar gjyqësisht.
Në këtë kategori përfshihen kërkesat për pushim të çështjeve sipas veprave që ka falur ligji. Këto pretendime po përdoren në gjykatë.
Në amnistinë e kaluar, gjatë një investigimi të TCH, u evidentua se dhjetëra të dënuar u ankuan për moszbardhjen e vendimit brenda afatit, duke i kufizuar gjatë zbatimit të ligjit 2024.
Ashtu siç raportoi TCH në atë kohë, në të njëjtat konkluzione doli edhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë. Ndërkohë, nga monitorimi që TCH po bën për amnistitë ndër vite, vërehet tejzgjatje e gjykimeve me paditës të dënuarit.
Rasti tipik është ai i Lirie Delishit nga Durrësi, e cila e fitoi të drejtën nga amnistia e 2024-ës dy vjet me vonesë dhe, konkretisht, sipas dosjes që TCH disponon, iu dha nga gjykata më 25 maj 2026.
Delishti ishte hetuar në vitin 2020 për falsifikim dokumentesh, pasi rezultoi se ishte larguar nga Shqipëria me një pasaportë false.
Pas dënimit të saj me 4 muaj burgim, Prokuroria kërkoi nga Britania e Madhe ekstradimin e saj. Çështja u pezullua në atë shtet, pasi gruaja e apeloi.
Ndërsa në Shqipëri u hap beteja gjyqësore me kërkesën për shuarjen e dënimit, duke e klasifikuar si përfituese të Amnistisë 2024. Më 25 maj, gjykata i dha të drejtë dhe deklaroi shuarjen e dënimit për shkak të aplikimit të ligjit 2024.
Gjykata deklaron, në lidhje me kriterin ndalues të fshehjes, se ajo nuk është shmangur prej drejtësisë, për sa kohë rezulton se ajo ka lindur fëmijë në Britaninë e Madhe dhe për këtë e ka pasur të pamundur të paraqitej.
Rasti u shqyrtua nga Gjykata e Tiranës. Ndërkohë, pak ditë më parë, një grua, nënë e tre fëmijëve të lindur jashtë vendit dhe e dyshuar se i ishte shmangur drejtësisë, u arrestua për pak orë dhe u dërgua në burg bashkë me foshnjën. Rasti i 34-vjeçares u bë publik në TCH.
Ajo ishte dënuar me 2 muaj burgim më 13 maj nga shkalla e parë. Edhe rasti i saj do të shqyrtohet në Apel, pasi iu pranua kërkesa për rivendosje në afat dhe, për këtë, gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm.
Nga Amnistia 2026 u liruan 541 të dënuar, ndërkohë që qindra të tjerëve iu ul nga një vit burg. Por odiseja e atyre që përfitojnë pas padive për shuarje dhe ulje dënimi do të vazhdojë tashmë në gjykatë.
Top Channel