Franca dhe Spanja përballen me situatë apokaliptike nga zjarret, Kina në alarm përmbytjeje pas tajfunit të rrezikshëm, mbi 715 mijë të evakuuar

26/07/2026 19:15

Ndërsa Franca dhe Spanja po përballen me situatë apokaliptike nga zjarret, tajfuni Noul ka goditur bregdetin jugor të Kinës, duke detyruar autoritetet të evakuojnë mbi 715 mijë njerëz, si dhe të anulojnë qindra fluturime në Kinë dhe Hong Kong. Sipas autoriteteve kineze, Noul është tajfuni më i fuqishëm që ka prekur Kinën deri tani gjatë këtij viti.

Ai doli në breg rreth orës 03:50 të mëngjesit të së dielës, ndërsa pritet të sjellë reshje të dendura dhe erëra të forta edhe në disa zona, teksa lëviz drejt brendësisë së vendit.

Autoritetet kineze kanë shpallur nivelin më të lartë të alarmit për përmbytjet e menjëhershme në disa provinca.

Qendra Kombëtare Meteorologjike parashikon reshje të dendura deri shumë intensive në pjesën më të madhe të jugut të Kinës, ndërsa në disa zona të provincës Fujian priten reshje jashtëzakonisht të mëdha.

Qeveria u ka kërkuar autoriteteve lokale të tregojnë kujdes të veçantë në zonat me rrezik të lartë për përmbytje, si zonat malore, brigjet e lumenjve, kantieret e ndërtimit, luginat dhe urat.

Në provincën Guangdong janë pezulluar shërbimet hekurudhore gjatë së dielës. Ndërkohë, në Hong Kong janë anuluar rreth 350 fluturime. Autoritetet njoftuan se të paktën nëntë persona janë lënduar gjatë kalimit të tajfunit, ndërsa fluturimet pritet të rifillojnë gradualisht pasditen e së dielës. Edhe Tajvani është prekur nga reshjet e sjella nga Noul, kryesisht në jug dhe lindje të ishullit, ndërsa tajfuni po largohet gradualisht nga zona.

Top Channel