E akuzoi si pedofil në rrjetet sociale, influencuesja 43-vjeçare vritet nga bashkëshorti

26/07/2026 22:59

Një influencuese amerikane është vrarë me armë zjarri nga bashkëshorti i saj, vetëm pak ditë pasi e kishte akuzuar publikisht në TikTok për pedofili.

Viktima është Sara Gilson, 43 vjeçe, e cila u qëllua për vdekje në qytetin Owasso, në shtetin e Oklahomës. Sipas policisë, autor i dyshuar është bashkëshorti i saj, Jeremiah Duffey, me të cilin ishte në proces ndarjeje.

Rreth një muaj para, Gilson kishte siguruar një urdhër mbrojtjeje ndaj bashkëshortit, pasi ishte informuar nga policia se ai po hetohej për abuzim seksual ndaj një të miture.

Më 11 korrik, influencuesja, e cila kishte mbi 30 mijë ndjekës në TikTok, publikoi një video ku e akuzonte hapur bashkëshortin për pedofili.

“Po përgatitem për ditën kur Netflix do të publikojë një dokumentar për ish-bashkëshortin tim të ardhshëm, për të cilin sapo zbulova se është pedofil”, kishte shkruar ajo në përshkrimin e videos, duke shtuar se do të donte të ishte shaka.

Sipas hetimeve, më 9 qershor një vajzë e mitur dhe prindërit e saj denoncuan se Duffey, i cili ishte trajner i ekipit të basketbollit të vajzës,  e kishte prekur në mënyrë të papërshtatshme gjatë një aktiviteti në një shkollë fillore. Një trajner tjetër dyshohet se kishte parë incidentin dhe kishte njoftuar menjëherë prindërit e të miturës.

Autoritetet deklarojnë se kishte edhe raportime të tjera për sjellje të ngjashme të Duffey ndaj së njëjtës vajzë në periudha të ndryshme. Pas denoncimit, ai ishte larguar dhe nuk ishte lokalizuar nga policia.

Mbrëmjen e së enjtes, policia mori një telefonatë emergjente për dhunë në familje. Operatorët dëgjuan britmat e një gruaje dhe më pas një zhurmë që i ngjante një të shtënë me armë. Pak më vonë, djali i Gilson telefonoi policinë nga shtëpia e një fqinji dhe raportoi se njerku i tij kishte qëlluar nënën e tij.

Kur efektivët mbërritën në banesë, gjetën të pajetë si Sara Gilson, ashtu edhe Jeremiah Duffey, të dy me plagë në kokë të shkaktuara nga armë zjarri.

Hetimet janë ende në vijim, por autoritetet besojnë se bëhet fjalë për një vrasje të ndjekur nga vetëvrasja.

 

Top Channel