Aleanca për mbrojtjen e Prrenjasit. Intelektualë, biznesmenë dhe të rinj gati draftin për t’ia çuar kryeministrit Rama

26/07/2026 12:11

Paqartësia rreth hartës së re territoriale dhe deklaratat mbi ndarjet e mundshme kanë nxitur qytetarët e Prrenjasit të krijojnë Aleancën për Mbrojtjen e territorit të tyre.

Aleanca, e cila në përbërje të saj ka intelektualë të fushave të ndryshme, sipërmarrës, fermerë e të rinj, synon hartimin e një drafti që mbron me fakte dhe argumente pse duhet të qëndrojnë më vete.

Dokumenti, i cili në shtator, pritet t’i dërgohet Komisionit Parlamentar për Reformën Territoriale, Kryeministrit, Parlamentit, por edhe institucioneve ndërkombëtare, do të pasqyrojë çdo resurs e pasuri të zonës, të dhëna historike e vlera kulturore.

Pjesëmarrja në takim ishte masive ndërsa u kërkua nga çdo parti politike, t’i qëndrojë larg kauzës qytetare për mbrojtjen e Prrenjasit.

Sipas organizatorëve, simpatitë dhe bindjet politike të gjithsecilit, nuk mund të ndikojnë në një qëllimin e mbrojtjes së familjes së përbashkët dhe të ardhmes ekonomike, sociale e kulturore.

Top Channel