Nuk u dakordësuan për zgjatjen e afateve të ‘Territoriales’, Berisha: Rama po bën gjithçka për konfrontim, ftoj qytetarët të protestojnë për këtë çështje

25/07/2026 12:42

Me 82 vota kundër të mazhorancës dhe vetëm 27 vota pro të opozitës, u rrëzua në seancën e së enjten në Kuvend kërkesa e PD-së që të zgjatej me 3 muaj të afatit për Komisionin e Reformës Territoriale.

Për këtë, kreu i PD-së Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit të sotëm me qytetarët në rrjetet sociale, u shpreh se me Edi Ramën nuk ka asnjë reformë, duke shtuar se kryeministri po bën gjithçka për një konfrontim.

“Pra, opozita në një përpjekje të jashtëzakonshme, e mbajti parlamentin pesë orë me dy çështje kryesore, reforma territoriale dhe çështja e dytë, kërkesat e protestuesve jashtë parlamentit, të cilët kishin vetëm një kërkesë: nuk përfaqësonin një të vërtetë absolute.

Ky parlament dhe këta deputetë të pseudomazhorancës nuk përfaqësojnë qytetarët.

Ata përfaqësojnë miliarda e miliarda euro të taksapaguesve të përdorur sipas dokumenteve ndërkombëtare për të ndikuar, për të kontrolluar vullnetin e zgjedhësve.

Ja sepse PD kërkoi me insistimin më të madh shkrirjen dhe përfundimin ditën e enjte të parlamentit shqiptar.

Sikundër denoncuam para shqiptarëve dhe mbarë botës aktin e papërgjegjshëm të Edi Ramës të tërheqjes së njëanshme nga reforma territoriale.

Të dashur miq, në krye të radhës kam deklaruar se me Edi Ramën, reformë nuk ka.

Por nga ana tjetër jo një apo dy, por dhjetëra dhe qindra e më shumë qytetarë nga të katër anët e vendit, kanë kërkuar që PD të marrë pjesë në komisionin e reformës territoriale për të mbrojtur interesat e tyre në këtë komision.

Dhe ne këtë bëmë.

Zoti Luçiano Boçi në krye të këtij komisioni nga ana jonë dhe deputetët tanë bënë një punë jashtëzakonisht serioze.

Përgatitën me seriozitetin më të madh së bashku me ekspertët e fushës projektin më të mirë të reformës së ardhshme territoriale, ku bashkitë nga 60 jo që nuk zvogëloheshin, por dyfishoheshin.

Në të cilin përveç bashkive shtoheshin dhjetëra e dhjetëra komuna sipas territoreve ku ato është e mundur të ngrihen dhe ndryshimet e thella demografike lejojnë ngritjen e tyre.

Pas konsultave të gjera bipartizane, në të cilat qytetarët e të gjithë spektrit politik demaskuan njëzëri reformën e shkuar të Edi Ramës, Edi Rama vendosi të mbyllë punimet e komisionit, të tërhiqet dhe e votoi në mënyrë të njëanshme dhe të kundërligjshme raportin e Maznikut, i cili nuk ishte paraqitur në komision.

Pra, ai bën gjithçka për një konfrontim dhe unë ftoj qytetarët që këtë reformë kaq të rëndësishme për ata, për komunitetet e tyre, për zonën e tyre, të mos e lënë në duart e Edi Ramës por të bashkohen me kryengritjen e përgjithshme popullore në Tiranë gjer në largimin e tij”, u shpreh Berisha.

Top Channel