Gjyshja Pren mban gjallë traditën e djathin me napë, mahnit edhe turistët

25/07/2026 12:59

Jemi në Fishtë të Lezhës, me gjyshen Pren, 93-vjeçaren e cila prej më shumë se 30 vitesh ruan një traditë të vjetër të zonës – përgatitjen e djathit me napë, një mënyrë e trashëguar brez pas brezi në trevat e Mirditës.

Tregon se ka mbi 30 vite që merret me përgatitjen e djathit dhe se kjo traditë ka qenë pjesë e jetës së saj. Ajo kujton edhe kohën e komunizmit, kur djathi përgatitej më rrallë, pasi mungonte qumështi. 93-vjeçarja nuk ka ruajtur vetëm veshjen tradicionale të Mirditës, por edhe zakonet e saj. Ditën e nis herët, duke u kujdesur me përkushtim për çdo hap të përgatitjes së djathit, një traditë që ka tërhequr edhe vëmendjen e turistëve që vizitojnë këtë zonë.

‘E kam provuar, është kaq origjinale duke u përgatitur direkt. Nuk kisha pare ndonjeherë si përgatitet, jam i surprizuar nuk e dija qe zihet. Shume e bukur’ thotë një vizitor.

Me shumë dashuri dhe përkushtim, gjyshja Pren i qëndron pranë çdo detaji, për të ruajtur të njëjtën shije dhe mënyrë përgatitjeje si dikur, duke sjellë një copëz të traditës së Mirditës te çdo vizitor.

Në një kohë kur shumë tradita rrezikojnë të harrohen, historia e gjyshes Pren është një dëshmi e gjallë e dashurisë për zakonet, punën dhe trashëgiminë e zonës. Me duart e saj 93-vjeçare, ajo vazhdon të mbajë gjallë një shije të vjetër dhe një histori që kalon nga një brez te tjetri.

Top Channel