File Bulku dhe djali i saj i sëmurë me autizëm, u njohën gjerësisht nga shqiptarët një ditë më parë, por pas nënës fshihet një histori denoncimesh e vuajtjesh.
Tre muaj më parë, historia e saj u bë publike në “Fiks Fare”, programin investigativ në Top Channel, pas denoncimit të fqinjit, i cili paraqiti një video ku File Bulku dhunonte djalin e sëmurë në rrugë.
Ishte fqinji që kërkoi ndërhyrjen, pasi ajo dhunonte djalin (ngjarje që ajo e pohoi vetë), por pas mbërritjes së ekipit të “Fiks Fare”, u përballën me një imazh të trishtë të kushteve ekonomike.
Zonja Bulku dhe djali i saj i sëmurë me autizëm jetonin në kushte shumë të vështira ekonomike, me një banesë të shkatërruar me mure të çara dhe vështirësi në sigurimin e ushqimit bazë.
Ajo ka treguar se bashkëshorti ka ndërruar jetë, teksa ky i fundit ka pasur kujdestarinë e djalit, e më pas ajo ka vijuar të kujdeset nën kushte të vështira ekonomike.
“Ushqimin e marr te Kisha”, ka treguar ajo, teksa zbulon se ndihmohet nga motra e saj për të jetuar.
Familja përbëhet nga dy anëtarë, nga File Bulku dhe djali i saj A. Bulku, të cilët janë banorë të njësisë administrative nr. 1 në Bashkinë Tiranë. Kjo njësi është në dijeni të situatës familjare pasi djali i sëmurë është përfitues PAK që nga mosha 3 vjeçare me pagesë 14.930 lekë dhe kujdestari të herë pas hershme me pagesë 11.944 lekë, kështu njoftuan autoritetet pas publikimit të ngjarjes.
Po ashtu zonja Bulku kishte probleme familjare me të afërmit. Drejtoria Rajonale Tiranë nuk ka patur ankesa nga banorët e lagjes Ali Demi, por të afërm të tyre, konkretisht Haxhi Bulku, është ankuar pasi kanë probleme familjare me File Bulkun.
“Drejtoria Rajonale Tiranë pas njohjes së këtij rasti nëpërmjet emisionit investigativ ka dërguar menjëherë grupin e punës për të bërë rivlerësimin e situatës social-ekonomike dhe psikologjike të znj. File Bulku.
Ky grup në datë 26.03.2026 ka arritur në konkluzioni se familja jeton në kushte të vështira ekonomike dhe znj. File është në gjendje të rënduar psikologjike. Kjo e fundit pas një komunikimi të gjatë me grupin tonë të punës dhe me administratorin shoqëror të Bashkisë Tiranë ka deklaruar me shkrim që është e gatshme që të japë autorizimin që i biri A. Bulku të vendoset në një qendër rezidenciale për personat me AK.
DRSHSSH Tiranë do të nisë procedurat për sistemimin e fëmijës në një nga qendrat e zhvillimit, ndërsa për znj. File Bulku, Bashkia Tiranë do t’i sigurojë një banesë sociale deri në momentin e rikonstruksionit të banesës së saj dhe do t’i vihen në dispozicion të gjitha shërbimet psiko-sociale të ofruara nga qendrat komunitare të Bashkisë Tiranë”, njoftuan autoritetet më 26 mars të këtij viti.
Top Channel