Pasi kreu krimin e rëndë në banesën e familjes së ish-të fejuarës, 35-vjeçari mori me forcë të renë dhe u largua nga vendngjarja me një automjet. Ekipet e policisë dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë e lokalizuan mjetin e autorit dhe rrethuan zonën, duke nisur negociatat që zgjodhën plot katër orë për dorëzimin e tij të sigurt.
Pavarësisht përpjekjeve të efektivëve për ta bindur që të dorëzohej, 35-vjeçari Refit Buzi, i njohur edhe me emrin Nertil Buzi, ka qëlluar veten brenda në makinë. Ekipet mjekësore dhe autoambulanca ndërhynë menjëherë në vendngjarje, por autori nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.
Nga sulmi i armatosur i 35-vjeçarit në banesën e ish-të fejuarës mbeti i vrarë në vend 55-vjeçari Arben Plaka, ish-vjehrri i autorit, ndërsa ish-vjehrra e tij mbeti e plagosur dhe po merr ndihmën mjekësore në spital.

Pamje nga lart të autorit, kur ishte i rrethuar nga policia
Pas ngjarjes, Policia e Fierit ka dalë me një njoftim zyrtar, duke konfirmuar vetëvrasjen dhe e çuar në dy numrin e viktimave të kësaj ngjarjeje të rëndë, që tronditi vendin ditën e sotme.

Makina e viktimës
“Roskovec, Fier/Informacion shtesë. Në vijim të informacionit paraprak për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ku shtetasi R. B., 35 vjeç, vrau me armë gjahu babanë e ish-të dashurës së tij, plagosi nënën e saj dhe mori peng ish-të dashurën, shtetasen R.P, ju informojmë se:
Pas lirimit të saj falë veprimeve profesionale të Policisë, ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin, me qëllim bindjen e tij për t’u dorëzuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Forcat RENEA në vendngjarje
Pavarësisht negociatave intensive, të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale”, shkruan Policia.
Top Channel