Çfarë e shkaktoi aksidentin fatal te rrethrrotullimi i TEG? TCH siguron foton e patentës së shoferit egjiptian, eksperti ngre alarmin: Ishte me 103 km në ore dhe i papërgatitur

24/07/2026 15:20

Shkaku që solli aksidentin e rëndë me 2 viktima në unazën lindore të kryeqytetit zyrtarisht ende nuk ka dalë.

30 vjeçari Muhamet Lotf nga Egjipti i cili drejtonte mjetin kishte leje drejtimi egjiptiane që sipas ligjit shqiptar mund të përdoret lirisht deri në një vit në vendin tonë.

Ai kishte rreth një muaj që kishte ardhur në Shqipëri me kontratë pune, por është në verifikim e sipër nëse kjo leje drejtimi që Top Channel ka siguruar, është e përshtatshme për drejtimin e kamionit apo është një patentë për përdorim të zakonshëm.

Drejtoria e përgjithshme e shërbimeve të transportit rrugor në një reagim për mediat tha se mjete si ai që drejtonin egjiptianët kanë nevojë për leje drejtimi të posaçme dhe dëshmi aftësie profesionale për profilin Automakinist. Materialet për rastin janë referuar mëngjesin e kësaj të premte në prokurorinë e kryeqytetit e cila do të kalojë në sitë jo vetëm lejet e drejtimit por edhe kontratat e punës me Alba Beton dhe gjendjen e mjetit.

Nisur nga ky aksident ekspertët ngrenë alarmin për sigurinë duke parë të nevojshme një VKM që të kërkoj verifikimin e lejeve të drejtimit apo dëshmive të të huajve që punësohen në Shqipëri.

“Jemi para një rreziku të madh se po hyjnë shumë të huaj. Të gjithë këta na rrezikojnë. Shteti të zgjohet nga gjumi. Të nxjerre një akt normativ. Të afrohemi me standardet e BE”, tha eksperti Gëzim Hoxha.

Ekspertet kërkojnë një hetim të gjithanshëm për rastin dhe nxjerrjen e përgjegjësive.

“Fati i njerëzve që nuk mori makina të tjera para. Shpejtësia ka qenë 99-103 km/h. Pse nuk frenoi? Teknikisht çfarë ka ndodhur? A ka qenë në gjendje të mirë teknike? A ka pasur kontroll teknik? A ka pasur frena? Nëse nuk dinte, ndizte bllokazhin, bënte zbritje marshi. Duket që ka qenë i pa përgatitur”, tha Hoxha.

Në aksidentin tragjik të të mërkurës humbën jetën 2 punëtorët egjiptianë 30 dhe44 vjeç si dhe mbeti i plagosur një 28 vjeçar i cili ishte duke lëvizur në rreth me mjetin e tij kur u përplas nga betonieria para se të përfundonte në nivelin e poshtëm.

Top Channel